Avokat Spartak Ngjela nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka ngritur alarmin për gjendjen në të cilën ndodhet vendi. Sipas tij korrupsioni i lartë shtetëror po na shkatërron çdo ditë e më shumë dhe pasojat i vuajnë njerëzit e thjeshtë.
Mirëpo Ngjela paralajmëron se Amerika me drejtësinë e re do t’i japin goditjen e rëndë korrupsionit të lartë shtetëror dhe shqiptarët do të marrin shpërblimin e merituar.
Postimi i plotë:
Shqiptarët po presin që me anë të SPAK-ut dhe ndërhyrjes ndihmuese të politikës amerikane, të shpëtojnë nga pushtimi çnjerëzor që iu ka bërë korrupsioni i lartë shtetëror.
l
Sot është e qartë për këdo: korrupsioni i lartë shtetëror po shkatërron jetën e shqiptarëve. Por, gjithkush e di që, vetëm goditja penale kundrejt krerëve të korrupsionit shtetëror, do të jetë shpëtimi i tyre.
Jeta e rrezikuar e shqiptarëve përballë grabitësve të vlerave materiale: ky është ekuacioni i sotëm që duhet shkatërruar nga SPAK-u.
Këtë po presin shqiptarët nga politika amerikane. Shpejtimin e tyre. Korrupsioni i lartë shtetëror, shqiptarët i ka lënë pa atdhe.
Shqiptarët sot masivisht duan të lënë Shqipërinë. Janë në dëshpërim historik. Në fakt, ky është dëshpërimi që shqiptarët ia kanë shkaktuar shqiptarëve. Domethënë Shqipëria ka hyrë në vetë-shkatërrim.
Në fakt, kjo ka qenë e gjithë historia njëqindvjeçare e Shqipërisë: shpresë në fillim, dhe dëshpërim me humbje shprese më pas: kështu kanë ecur shqiptarët në njëqind vjet. Por, kjo gjithmonë si shkak ka pasur abuzimin e shëmtuar me pushtetin që kanë bërë krerët e tyre.
Në fakt, shëmtimi antivlerë në Shqipëri ka filluar në vitin 1945, kur shqiptarët u sunduan nga Enver Hoxha, që u soll si një zotërues skllevërish dhe jo si drejtues i qytetarëve.
Sot Shqipëria, esencialisht, në drejtimin e saj shtetëror, ka ndryshuar vetëm formën dhe stilin e abuzimit: nga dhuna tiranike izoluese hoxhiste e komunizmit shqiptar, te vjedhja e madhe e vlerave materiale; dhe, nga kjo vjedhje, te varfëria ekstreme e shqiptarëve dhe te shitja e interesit kombëtar. Korrupsioni i madh i administratës së lartë shqiptare, në thelb është sundimi joligjor me abuzim të shumëfishtë: tjetërsim i pronës private; abuzim administrativ për tjetërsimin e pronës shtetërore; konçesione klienteliste; shitjen e interesit kombëtar; privilegje ligjore në treg, në mbështetje klienteliste të dhënies së tenderave.
Nuk duhet të harrojmë se varfëria e imponuar nga grabitësit e vlerave kombëtare, për një shoqëri, është pushtim i saj dhe i atdheut. Kjo është arsyeja që shqiptarët sot ndihen si të janë pa atdhe. Dhe, pesimistë në masë, që po kërkojnë të lënë Shqipërinë. Por, nuk është e vogël edhe pjesa që ka revoltë të brendshme.
Pesimistët nuk besojnë se mund të ndryshojë kjo gjendje, kurse të revoltuarit presin ndëshkim nga SPAK-u, kundër korrupsionit të lartë shtetëror.
ll.
Tani që Prokuroria e Posaçme u ngrit, detyra e SPAK-ut duhet të jetë: ngritja e akuzave për korrupsionin e të korruptuarve të lartë.
Vetëm ky proces i krijon njëherësh Shqipërisë zhvillimin ekonomik dhe shqiptarëve mundësinë për të rifituar atdheun e tyre të grabitur në të gjitha vlerat.
Por kjo arritje, që po vjen me anë të ndihmës së politikës amerikane, është në fakt shpërblimi që shqiptarët presin të marrin si mirënjohje për proamerikanizmin e tyre të pashoq sot në rrafsh botëror. Dhe patjetër që do ta marrin.
Shqiptarët duan dhe po presin ndëshkimin e korrupsionit të lartë shtetëror, i cili është sjellësi i fatkeqësisë së tyre.
Diskutime rreth kësaj post