Gjykata e Korçës liroi sot nga paraburgimi dy persona të arrestuar pak ditë më parë nga policia si autorë të dyshuar të vjedhjes së parave në Katedralen e Korcës.
Joni Cigarja dhe Genci Arifi u liruan pasi ndaj tyre mungonin provat që t’i implikonin në këtë vepër penale, ndërkohë prokuroria lëshoi 5 urdhër arreste, tre prej të cilave u ekzekutuan sot nga policia, ndërsa dy persona u shpallën në kërkim.
Policia thotë se “në vijim të ngjarjes së ndodhur më datë 03.09.2018, që bën fjalë për vjedhjen e një sasie lekësh në Katedralen e qytetit të Korçës, specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë ndalimin e Ronaldo Berberaj, 18 vjeç, Lorenc Berberaj, 18 vjeç, R.SH, 15 vjeç, banues në Korçë. Si edhe po punohet për kapjen e D.H., 15 vjeç dhe M.T., 14 vjeç”.
Të gjithë janë adoleshentë dhe të mitur, ndërkohë që dy të arrestuarit me të njëjtin mbiemër janë vëllezër dhe rezultojnë të kenë precedentë të mëparshëm penalë.
Grabitja e Katedrales në qendër te qytetit të Korçës, mbrëmjen e 3 shtatorit, solli reagimin e Mitropolisë së Shenjtë, klerikët e së cilës e vlerësuan të pamjaftueshme punën e policisë, që sipas tyre nuk ka shkuar tek autorët e asnjë objekti kulti të denoncuar si të vjedhur.
Foto:
Diskutime rreth kësaj post