Ish-kryeministri Sali Berisha me anë të një postimi në rrjetet sociale, ka reaguar sërish në lidhje me takimin e kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Athinë.
Ai shprehet se Rama kur erdhi në pushtet shpalli doktrinën e njohur të zero problemeve me fqinjët, por tani ka përfunduar në Luftë të Ftohtë si diktatori, Enver Hoxha.
Postimi i plotë:
Të dashur miq, Edi Rama që sapo erdhi në pushtet shpalli me krenari doktrinën e njohur të zero problemeve me fqinjët, doktrinë që e aplikojnë diktatorët të cilët për pushtetin e tyre nuk pyesin për interesa kombëtare është sot sherrmbjellësi kryesor në rajon. Kështu ai pas shpalljes së luftës së ftohtë Kosovës dhe shkatërrimit të marrëdhënieve me Kosovën, përçarjes së shqiptarëve dhe angazhimit në fushatën elektorale të njërës palë në Maqedoninë e Veriut, kulmoi dje me mitingun donkishotesk në Athinë.
Tani do ndalemi tek ky i fundit, pse Donkishotesk?
Së pari duke shfrytëzuar standartet e lirisë të vendit fqinj, organizoi një miting në tërësi me punonjës të administratës së tij të llojit të luftës së ftohtë në Athinë. Mitingu që u kushtoi taksapagueseve shqiptarë mbi 1 milionë euro nuk u organizua nga organizatat e emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj, nuk u përshëndet nga asnjë përfaqësues i ndoshta 1 milionë emigrantëve shqiptarë në atë vend, por u organizua nga Kryeministria dhe Ambasada e Shqipërisë në Athinë dhe në vend të përfaqësuesve të emigrantëve Rama por edhe mitingu u përshëndet nga Eliza e Skëderbuçit dhe ylli i bixhozit të Parisë.
Së dyti, në fjalën e tij Rama nuk shtroi as edhe një problem aktual që kanë apo mund të kenë emigrantët në Greqi si leje qendrimi, pashaportizime, legalizime, shkollim në gjuhën e nënës etj. probleme që ekzistojnë pothuaj në çdo vend tjetër. Kjo sepse ata nuk ishin ftuar aty për tu mbështetur në të drejtat që ju takojnë, mbasi për Ramën siç u shpreh 10 ditë më parë në Berlin, emigrantët janë thjesht mish i freskët. Emigrantët dje ishin ftuar aty si plaçkë për Belerin që e mundi Ramën në Himarë, në Shqipëri dhe ai e mban të burgosur politik për interesa të tij mafioze.
Së treti, fjala e Edi Ramës dje ishte një lloj replike e ngjashme mjerane me fjalimet e Enver Hoxhës, i cili dikur me marrëzinë e tij i kërcënonte grekët: “Kujdes nga ne, se ne jemi stërnipat e Bubullimës dhe Kollokotronit”, të cilët pavarësisht nga origjina janë heronj të Kombit Grekë dhe që kurrë nuk kanë hedhur një fishek për Shqipërinë apo shqiptarët. Edi Rama dje në të njëjtin kontekst përmendi Laskarinën, por ndryshe nga Enveri harroi Kollokotronin.
Po në funksion të luftës së ftohtë, ai dje zgjodhi diplomacinë e megafonit dhe evokoi në fjalën e tij çështje që në 10 vite pushtet apo dhe në tërë jetën e tij nuk i ka shqiptuar kurrë. Për herë të parë në jetën e tij e dëgjuam të përdorë fjalët çam, fjalën fshesë, ligji i luftës, shërbëtorë të afendikojt, racist apo prona të shqiptarëve në Greqi me qëllimin e vetëm për të justifikuar burgosjen politike të Belerit për interesa mafioze të tij në brigjet e Jonit.
Si përfundim mund të themi: pavarësisht nga problemet që kanë trashëguar Shqipëria dhe Greqia në të shkuarën, gjatë 33 viteve të fundit marrëdhëniet midis dy vendeve janë mbizotëruar nga mbështetje e Greqisë ndaj Shqipërisë në rrugën e saj të ndërtimit të demokracisë, tregut të lirë dhe integrimin Euroatlantik. Nuk ka dyshim se emigrantët shqiptar me punën, mundin, djersën dhe mendjen e tyre kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në jetën ekonomike-sociale të Greqisë. Po kështu në mënyrë të pamohueshme që nga koha e dyndjeve të para të shqiptarëve të paftuar si refugjat në këtë vend deri sot gjendja e tyre në Greqi në rrafshin ekonomik, social dhe të gjithanshëm ka njohur përmirësime thelbësore dhe sigurisht meritojnë dhe të tjera. Por ato nuk arrihen kurrë me mitingje donkishoteske as dhe përpjekje për shfrytëzimin e tyre në funksion të interesave obskure.
Por mitingu 1 milonësh, përdorimi i klisheve të vjetra hoxhiste, diplomacia e megafonit për zgjidhjen e problemeve me fqinjin janë që të gjitha në kundërshtim me interesin tonë kombëtar të marrëdhënieve të mira me fqinjët tanë, në dëm të interesave të 1 milionë shqiptarëve në Greqi dhe në funksion strikt të interesave mafioze të pushtetit të Edi Ramës dhe klanit të tij, janë akte që meritojnë dhe duhet dënuar me forcën më të madhe. #sb
Diskutime rreth kësaj post