Në skenën politike shqiptare, në Tiranë dhe Kosovë, është e zakonshme loja nën kulisa. E duket se turravrapin politik, që ka si pikëmbërritje formimin e qeverisë së re, nuk po e ndal as gjendja e emergjencës me pandeminë e Covid-19.
Udhëtimi i Behgjet Pacollit drejt Shqipërisë ditën e djeshme nxiti një “stuhi” reagimesh në Kosovë, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi rolin e Shqipërisë në qeverinë e re atje. I pari i AKR-së do të deklaronte se iu ndalua ulja në Aeroportin e Prishtinës, për të dalë më vonë me një deklaratë të dytë se e kishte lejen për të shkuar në Kosovë. E duket se për ish-kryediplomatin e Kosovës një “dritë e gjelbër” ishte ndezur nga Tirana që deri më sot ka vendosur kodin e heshtjes në lidhje me zhvillimet dramatike në Kosovë.
Prania e Pacollit në Tiranë do të konfirmohej edhe nga këshilltari i tij Murseli, i cili përmes prononcimeve për mediat do të shprehej: “Ai gjendet në Tiranë që nga dita e djeshme”. Nevoja për të krijuar qeverinë e re në mes të pandemisë duket e ngutshme. Aq sa Pacolli akuzoi “Vetëvendosjen” se nuk po e lejon të hyjë në vend për të qenë pjesë e qeverisë së Avdullah Hotit të LDK-së, kryeministër i përcaktuar nga marrëveshjet mes partive dhe jo vota popullore. I gjithë establishment politik i Prishtinës duket i përfshirë ethshëm në lëvizjet për formimin e qeverisë së re, ku loja është sa publike aq edhe nën rrogoz.
Mediat e Kosovës raportuan për një vizitë të papritur të presidentit Thaçi mbrëmjen e djeshme në Tiranë, dhe natyrshëm në një mjegullnajë të tillë të veshur me mister lindën dyshimet e pakonfirmuara se presidenti nuk ka qenë vetëm, por në shoqërinë e Pacollit.
Lidhur me vendndodhjen e ish-kryediplomatit të Prishtinës gazeta “Shekulli” kontaktoi sot Ambasadën e Kosovës në Tiranë, e cila në përgjigjen e saj shprehet: “Ne si ambasadë nuk kemi pasur asnjë njoftim përmes protokollit të shtetit për ardhjen apo vendëndodhjen e deputetit të Kuvendit të Kosovës z. Behgjet Pacolli”.
Sipas VV-së vizita e presidentit është bërë në fshehtësi dhe nuk është komunikuar te Protokolli Shtetëror i Ministrisë së Punëve të Jashtme, sikundër e parasheh Ligji për Protokollin Shtetëror. Mes këtyre zhvillimeve jo transparente dhe plot të panjohura erdhi një deklaratë e fortë nga ministri i Punëve të Brendshme në detyrë Xhelal Sveçla. Ai bëri një paralajmërim me tone ultimative në drejtim të Pacollit, duke nënkuptuar arrestimin e mundshëm të tij.
“Z.Pacolli i kërkojmë që të shprehet tani, menjëherë, se ku është, përndryshe nëse ai shfaqet në publik, brenda Kosovës, policia do të marrë masa sipas ligjeve në fuqi”, ka deklaruar Sveçla në një konferencë për media.
Diskutime rreth kësaj post