Arjan Venari sapo ka mbushur 27 vjeç. Dy vite më parë u kthye nga emigrimi në Greqi, ku shkoi ndërsa ishte vetëm 15 vjeç.
La shkollën, fshatin ku u lind, familjen dhe vetëm me një xhaketë të vjetër udhëtoi maleve.
“Për herë të parë kam emigruar në moshën 15 vjeç drejt shtetit grek. Shkonim në këmbë. Familja e përjetonte keq, por ne iknim fshehurazi. Me shokë në fshat bashkoheshim, vendosnim se do iknim në Greqi dhe niseshim”, tha Arjan Venari.
Udhëtimi zgjati me ditë të tëra. Natën – tregon, – e kalonte në pyll, i cili u bë shtëpi dhe mbrojtje për të.
“Udhëtimi zgjaste 8 ditë, sepse zgjidhnim rrugën më të largët, që të mos kishim vëmendjen e policisë. Na zinte bora, shiu. Në ditët në vazhdim ishim edhe pa bukë, pa ujë, fjetja e keqe, flinim ku na zinte nata”, rrëfen Arjan Venari per “t.ch”.
Tani është rikthyer në Selvies, fshat të Elbasanit. Ka hapur një lokal me kursimet e grumbulluara në Greqi, me shpresën për të ndërtuar jetën e tij në atdhe. Megjithatë, sërish i kthehet për disa javë apo muaj emigrimit, me shpresën se do të jetë e fundit herë.
“Me të keq, me vuajtje, nuk i prishnim, i mbanim që të ktheheshim në Shqipëri, të bënim diçka. Ato pak lekë që kemi bërë andej, i kam investuar te ky lokal që shihni. Të harrojmë ato vuajtje andej dhe të rrimë këtu, të hapnim punën tonë. Ka grupe që ikin ende, por unë jo. Kam vendosur të qëndroj”, thotë Arjan Venari.
Kriza financiare në Greqi bëri që shumë emigrantë shqiptarë atje të humbnin punën e të mos e përballonin më jetesën. Ata vendosën të kthehen, ashtu si dhe të tjerë, që pasi mësuan një zanat kanë vendosur ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Shifra e të rikthyerve nuk është regjistruar nga asnjë institucion, por ata i gjen në çdo fshat e qytet.
Diskutime rreth kësaj post