Idlir Karkini është superbiznesmeni nga Kavaja i cili këtë të martë u shpall në kërkim, pasi ndaj tij është dhënë një masë arresti me burg nga Gjykata e Kavajës, për abuzim me pronat në Spille. Ai përvetësoi poligonin e qitjes të Ministrisë së Mbrojtjes në bregdet dhe e ktheu atë në pronë private ku ndërtoi një biznes të tij.
Karkini është një personazh i njohur, pasi rezulton një nga biznesmenët më të mëdhenj i cili ka fituar disa tenderë të rëndësishëm nga institucionet shtetërore. Emri i biznesmenit Idlir Karkini, është lakuar dendur në media për disa tenderë me Ministrinë e Mbrojtjes për vënien në punë dhe mirëmbajtjen e sistemeve të radarëve për sigurinë detare. Tender ky i fituar në vitin 2011, kur në pushtet ishte Partia Demokratike dhe ministër i Mbrojtjes, Arben Imami. Ndërsa këtë shërbim e ka fituar përsëri pranë Ministrisë së Mbrojtjes në vitin 2014 kur në pushtet kishte ardhur e majta.
Gjithashtu, Karkini u përfol jo pak dy vite më parë kur Radio Televizioni Publik Shqiptar (RTSH) i dha pa garë plot 8.8 milionë euro për mirëmbajtjen e rrjetit të dixhitalizimit, në një kur ai (rrjeti) nuk ishte ndërtuar. Media denoncoi atëherë këtë kontratë të firmosur midis Drejtorit të Përgjithshëm të atëhershëm të RTSH Martin Leka dhe Administratorit të “Idea-Tel”, Idlir Karkini.
Pas këtyre mega-tenderave, Idlir Karkini rikthehet pas dy vitesh si protagonist në media pasi në ngarkim të tij Gjykata e Kavajës ka dhënë një masë arresti me burg për privatizim në shkelje me ligjin të pronës së Ministrisë së Mbrojtjes në bregdetin e Spillesë. Abuzim për të cilin janë lënë në burg pesë zyrtarë të Bashkisë së Rrogozhinës dhe hipotekës së Kavajës, ndërsa në hetim është marrë edhe kryebashkiaku Beqir Nuredini të cilit iu bllokua pasaporta dhe për rrjedhojë i ndalohet dalja jashtë vendit.
Diskutime rreth kësaj post