Më 20 janar, ish-modelja Melania Trump do të bëhet e para Zonjë e Parë që ka lindur jashte Shteteve të Bashkuara, që prej 200 vjetësh. Para zgjedhjeve, shumë amerikanë nuk dinin pothuajse asgjë për zonjën Trump apo vendin nga vjen ajo, Slloveninë.
Në pamje të jashtme Sllovenia duket si një përrallë: një tokë pak e njohur me kështjella mbi kodra, dhe pemë të larta Krishtlindjeje. Në sytë e sllovenëve, Melania Trump po e kthen vëmendjen nga vendi i tyre.
“Sllovenia? Çfarë është Sllovenia? Ushqim? Makinë? Askush nuk e di që është një vend. Dhe ashkush nuk e di që Melania është nga Sllovenia. Prandaj kjo është një mundësi shumë e mirë që vendi ynë me 2 milionë banorë të zërë vendin e vet në Evropë dhe në botë”, thotë Jakob Susteric, një qytetar slloven.
Stane Jerko ishte fotografi që e zbuloi Melanian, kur ishte një adoleshente e drojtur në një sfilatë mode.
“Ajo ishte e gjatë dhe elegante, me flokë të gjatë dhe këmbë të gjata dhe prandaj mua m’u duk e përshtatshme për t’u bërë fotomodele. Unë dallova jo vetëm që ishte e bukur, por megjithëse mund të duket e çuditshme: energjinë e saj të brendshme” thotë ai.
Ajo energji e ndihmoi atë të arrinte majat dhe Jerko e sheh punën e tij si një kontribut të vogël në historinë amerikane.
“Më duket shumë interesante që ajo po bëhet Zonja e Parë, para së gjithash sepse unë e zbulova, kështu që ajo i pati fillesat me fotografitë që bëra unë”.
Si Zonjë e Parë, Melania do që të angazhohet në përjekjet kundër sharjeve në internet. Në shkollë të mesme, një periudhë e vështirë për çdo adoleshente, Melania kishte shfaqur guxim dhe dinjitet ndaj atyre që i shkaktonin vështirësi. Një ish-shoqe klase dhe mike e saj, kujton atë kohë.
“Meqenëse ishte e bukur dhe ishte modele, shumë vajza flisnin për të, edhe për arsye xhelozie. Por ajo nuk provokohej, nuk reagonte dhe mendoj se kjo tregon forcën e saj të brendshme, sepse e dinte që kishte vetëbesim dhe kur ke besim tek vetja, nuk ke nevojë ta provosh me fjalë”, thotë Petra Sedej, shoqe e shkollës së mesme e Melanias.
Komunizmi dhe Jugosllavia e atëherëshme ishin në prag të shpërbërjes dhe nga oborri i shkollës së saj, Melania ëndërronte për botën e madhe që po hapej para saj.
“Flisnim për shkollën, për këndvështrimin tone për botën, dhe si modele ajo e dinte që Sllovenia ishte shumë e vogël për të” shton shoqja e saj Petra.
Në fillim, ajo shkoi në Milano, pastaj Paris dhe më në fund në Nju Jork, ku Melania takoi Presidentin e ardhshëm amerikan.
Në qytetin e saj të lindjes, Sevnica, miqtë e familjes thonë se me siguri ajo pa tipare të babait të saj, shitësi i makinave Viktor Knavs, tek Donald Trumpi: ambicje dhe nuhatje për biznes.
“Viktorit gjithmonë i pëlqente të punonte me makina të vjetra ose gjëra të tjera nga mund të nxirrte disa para më shumë. Gjithmonë e kishte këtë prirje dhe shoqërohej me njerëz të ngjashëm. Ky biznes shtesë, përveç punës së përditshme e bëri të mundur për të që të ishte në gjendje më të mirë. Melania pa diskutim e pa këtë. Në fëmijë nuk mund të mos vërë re. Është një paralele shumë e qartë me Donaldin, vetëm se në një raport 1 me 1 mijë. Viktori e dallon menjëherë diçka që mund ta rregullojë dhe ta shesë për më shumë para, ndërsa Donald shet për shembull dy grataçela në Florida për dy të reja në San Francisco” thotë Zdravko Mastnak, një mik i familjes.
Deri tani, shumë amerikane nuk kishin dëgjuar kurrë për Slloveninë. Për shumë sllovenë, që dikush nga vendi i tyre do të jetë në Shtëpinë e Bardhë, e bën imazhin e tyre për Amerikën më të ndritshëm se kurrë.
“Përcjell mesazhin që Amerika e ka përcjellë gjithmonë: që Amerika është vendi i mundësive, prandaj gjithkush që jeton dhe vjen në Amerikë mund të realizojë gjëra të mëdha” thotë Jakob Susteric.
Dhe kjo, për shumë sllovenë, meriton të vlerësohet. (VOA)
Diskutime rreth kësaj post