Spiro Ksera nuk është politikani i parë i lartë që provon pranga. Në 25 vitet e fundit janë edhe shtatë zyrtarë të tjerë të lartë kanë provuar qelitë e burgut për akuza të ndryshme. Më pas një pjesë prej tyre u shpallën të pafajshëm.
Ish-ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale është arrestuar për dyshimet se ka vjedhur duke shpërdoruar detyrën në fund të mandatit të tij në krye të ministrisë së Punës gjatë vitit 2013.
Ish-ministri, bashkë me tetë persona të tjerë, ish-punonjës në këtë dikaster, përmes procedurave fiktive dhe duke falsifikuar dokumenta, kanë vjedhur 30 milionë lekë. Aktivitetet e dyshimta janë raportuar si të organizuara nga 27 qershori deri më 11 korrik 2013. Ndërkohë të ndaluar janë edhe ish punonjësit e kësaj ministrie Arvenis Mene, Elda Kozaj dhe Pranvera Lile. Ndërsa janë në kërkim edhe katër të tjerë. Për këtë dosje është i dyshuar edhe ish-drejtori i kabinetit të ministrit Kleves Bitraj, i cili po vuan një dënim të mëparshëm të gjykatës për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Politikanët e tjerë që provuan burgun
Nexhmije Hoxha
Ish-bashkëshortja e Enver Hoxhës u arrestua në vitin 1991 dhe u dënua në vitin 1993 me 11 vjet burg, për akuzat e shpërdorimit të detyrës. Por ky dënim u ul disa herë në bazë të amnistive të ndryshme që u bënë në ato vite dhe zonja Hoxha vuajti përafërsisht gjysmën e këtij dënimi. Nexhmije Hoxha akuzohej për shpërdorim detyre, konkretisht se kishte abuzuar me 764 mijë lekë të fondeve publike. Ajo u lirua në vitin 1996 në moshën 76-vjeçare.
Fatos Nano
Themeluesi i Partisë Socialiste u arrestua nga prokuroria në qershor të vitit 1993 me akuzën “abuzim në detyrën e kryeministrit me pasojë përfitim për të tretët”. Në vitin 1994 përfundon gjykimi në Gjykatën e Faktit, duke i dhënë 12 vjet heqje lirie. Partia Socialiste, opinioni publik vendas, organizata ndërkombëtare prestigjioze të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut, e konsideruan dënimin si hakmarrje politike nga ana e mazhorancës që drejtohej nga ish-Presidenti Berisha. Në mars të vitit ’97, Nano nuk pranoi të largohet nga burgu edhe pse për shkak të revoltave dyert u hapën dhe vendi përfundoi në një kolaps total. Fiton “de jure” lirinë me dekret presidencial. Në ’99-ën ai shpallet i pafajshëm dhe dëmshpërblehet për 1485 ditët e burgut.
Gafurr Mazreku
Gafurr Mazreku ka qenë kryetar i Partisë Socialiste në Has dhe deputet në Kuvendin Popullor në zgjedhjet e ’97-ës. Po në këtë vit, pas një debati në Parlament me deputetin Azem Hajdari, Mazreku qëllon mbi këtë të fundit pesë herë me pistoletë. Pas këtij atentati, ai u arrestua dhe gjykata e dënoi me 12 vite burg. Sjellja e mirë dhe amnistitë e herëpashershme, e ulën dënimin për Mazrekun, i cili lirohet në vitin 2001, tre vjet pasi ishte dënuar. Në pranverën e vitit 2002 zgjidhet unanimisht kryetar i PS-së Has, por zgjedhja e tij refuzohet nga Komisioni i Garancive Statusore. Në vjeshtën e vitit 2003 fiton postin e kryetarit të komunës Fajzë, në një bastion të PD-së. Në vitin 2005 ai ndahet nga jeta pas një infarkti.
Halit Shamata
Një nga politikanët e arrestuar në gusht të vitit 1998, ishte edhe ministri i Brendshëm në vitin 1997. Ish-ministri u akuzua për krime kundër njerëzimit. I arrestuar me shumë bujë në 22 gusht 1998, ai do linte qelinë vetëm disa ditë më vonë, pasi akuzat ndaj tij nuk u provuan dot. Por ish-ministri do e merrte pafajësinë për akuzat e ngritura ndaj tij vetëm më 26 prill 2006, kur gjykata rrëzoi të gjitha akuzat ndaj tij.
Safet Zhulali
Ish-ministri i Mbrojtjes në vitet 1992–1997, Safet Zhulali është një nga politikanët shqiptarë të akuzuar nga drejtësia shqiptare. Ai u arrestua më 22 gusht 1998 së bashku me disa drejtues të lartë. Ish-ministri i Mbrojtjes u akuzua për krime kundër njerëzimit. Por akuzat ndaj tij nuk u provuan kurrë. Kështu, pas 45 ditësh burg, Safet Zhulali lë qelinë, por qëndroi edhe 6 muaj në arrest shtëpie. Më 26 prill 2002 gjykata i dha Safet Zhulalit pafajësinë.
Shpëtim Gjika
Ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika përfundoi i arrestuar në shkurt të vitit të kaluar si i dyshuar për veprat penale të “falsifikimit të dokumentave”, “shpërdorimit të detyrës”, ndërtimit të paligjshëm” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Në dy procese gjyqësore që u zhvilluan më vonë ish-kryebashkiaku u shpall i pafajshëm.
Mark Frroku
Ish-deputeti kristiandemokrat Mark Frroku u arrestua në prill të 2015-ës. Fillimisht Frroku u dënua për kallëzim të rremë në çështjen “Doshi”. Një tjetër akuzë për të edhe për vrasje të kryer në Belgjikë, ndërsa në Shqipëri për akuzën e “pastrimit të parave” dhe “refuzimit për të deklaruar pasurinë”. Frroku la mandatin e mandatit në nëntor të vitit të kaluar.
Frroku i ka ndërruar shpesh qelitë e paraburgimit, ndërsa ka vizituar shpesh edhe Gjykatën e Lartë, ku janë zhvilluar një sërë procesesh gjyqësore, pasi avokatët e tij kanë bërë dhjetëra kërkesa, me të vetmin qëllim: lirimin e ish-deputetit./Tirana Observer/
Diskutime rreth kësaj post