Nga Bekim Kupina
Në qytetet kosovare vazhdojnë ta bëjnë jetën rrugë ku ndeshen djathtizmi me majtizmin, komunizmi me fashizmin, pacifizmi, UÇK-ja me FARK-un e deri te njëra familje kundër tjetrës.
Për asnjërën nga këto periudha, historiografia e as shoqëria kosovare nuk kanë qëndrim të artikuluar. Kujt iu desh të ndërhyjë në dëmtimin e memories qytetare?
Pavarësisht se sot rruga ikonë e Prishtinës, ajo e “Dubrovnikut”, mban emrin e Gazmend Zajmit, vazhdon nga qytetarët të identifikohet me emrin e parë, i cili tashmë këtë rrugë e ka bërë të identifikueshme jo vetëm për rezidentët prishtinas.
Kush mund ta shpjegojë pse një rrugë duhet ta bartë emrin “Muharrem”, “Pulmologjia”, “Shëndeti”, apo “Fontana”
***
Afro 16 vjet më parë një grup nostalgjikësh të diktatorit Enver Hoxha në mënyrë arbitrare e pagëzuan një hapësirë publike në mes të Ferizajt me emrin e tij.
Të irrituar nga veprimi i tillë, aktivistë të organizatës joqeveritare INPO mblodhën nënshkrime dhe gjithashtu simbolikisht vendosën një tabelë me emrin e aktorit kinez më famë botërore Jackie Chan
Kjo përballje e kinezit Chan me Xhaxhin shqiptar shënoi përplasjen e parë serioze për emërtimin e rrugëve e shesheve në Kosovë, trend ky që ka degraduar tërësisht në vitet më pas, duke i shndërruar rrugët në hapësira publike për protagonizëm ideologjik, partiak e familjar.
Ky korruptim shijesh vazhdon ta përcjellë këtë sferë edhe sot e kësaj dite. Të gjitha pushtetet politike të pasluftës në Kosovë kanë krijuar komisione për emërtime, duke u përpjekur për ta fshirë memorien kolektive me instalimin e emrave të rinj të rrugëve, pavarësisht mungesës së qëndrimeve të shoqërisë kosovare për shumë zhvillime politike e historike.
Jo rastësisht, sot në qytetet kosovare vazhdojnë ta bëjnë jetën rrugë ku ndeshet djathtizmi me majtizmin, komunizmi me fashizmin, pacifizmi me UÇK-në e FARK-un, e deri te njëra familje kundër tjetrës brenda të njëjtit fshat.
Kujt iu desh të ndërhyjë në dëmtimin e memories qytetare? Pavarësisht se sot rruga ikonë e Prishtinës, ajo e “Dubrovnikut”, mban emrin e Gazmend Zajmit, vazhdon nga qytetarët të identifikohet me emrin e parë, i cili tashmë këtë rrugë e ka bërë të identifikueshme jo vetëm për rezidentët prishtinas.
Gjithsesi që në këtë kontekst një emër si Gazmend Zajmi e meriton një rrugë në Prishtinë, por pati boll të tilla sa për të mos prekur sentimentin qytetar.
***
Dikur lehtë dihej për cilëndo rrugë qyteti. Sot në rrugët e Kosovës defilojnë emra, të cilët nuk arrijnë të bëhen pjesë e memories, shkaku i ndryshimeve të shpeshta.
Derisa në qytet është ruajtur njëfarë kriteri, emërtimet e rrugëve në fshatra i janë lënë tërësisht fuqisë numerike të familjeve, duke i shndërruar rrugët në mjet predominimi e rivaliteti ndërmjet kushërinjve e bashkëfshatarëve. Prandaj, shumë rrugë mbajnë emra- mbiemra familjesh, fisesh të gjallësh e të vdekurish. Problemi i emërtimit të rrugëve është bërë i ndjeshëm para së gjithash edhe shkaku i ambicieve të secilit për t`u bërë me çdo kusht pjesë e historisë edhe nëpërmjet tabelave me emra rrugësh. Historia ka vend për të gjithë, por a janë të gjithë për histori?! Natyrisht se jo. Por, në kontekstin kosovar gjithçka është relative. Nuk është larg mendsh që në të ardhmen të dalin propozime me emra ndaj të cilëve historiografia botërore ka vlerësim për rolin negativ në histori. Shoqëria kosovare ende vazhdon të mbajë qëndrim me ambiguitet, duke akceptuar çfarëdo situate, figure apo personaliteti.
Kjo ia jep mundësinë secilit për të pretenduar në njëfarë të drejte, pavarësisht se ajo s`mund të jetë e tillë. Një banor i fshatit Varosh të Ferizajt pa përfillur asnjë procedurë rrugës, ku ndodhet shtëpia e tij, ia ka vendosur emrin e diktatorit Enver Hoxha. Në këtë pikë ai mund të shfajësohet, sepse shoqëria dhe politika kosovare ende nuk kanë ndërtuar qëndrim ndaj personaliteteve të kohës së komunizmit, fashizmit, zhvillimeve të para luftës dhe pasluftës në Kosovë. Pra, aq më pak figurës së diktatorit, i cili edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet frymëzues apo udhërrëfyes për një numër kosovarësh.
***
Emrat e rrugëve sot dominohen nga periudha më e re historike e shqiptarëve të Kosovës, ajo e luftës së UÇK-së. Emra personalitetesh të shquara nga historia e mëhershme shqiptare apo ajo ndërkombëtare janë skajuar rrugicave periferike, si me drojë, sa për ta plotësuar mozaikun e diversitetit historik në emërtime. Problemi rëndohet edhe më kur merret parasysh fakti se shumica e emrave të rrugëve dominohen nga ata të burrave, sërish duke i përdorur ata të grave sa për formalitet. E, krejt në fund, në listat me emra rrugësh ka prezencë minimale të personaliteteve civile, pra atyre që jo me pushkë, por në mënyra të tjera kanë kontribuuar për të mirën e përgjithshme.
Rruga me emrin e aktorit të famshëm Bekim Fehmiu ndodhet në “Lakërishte”, në afërsi të gjimnazit “Xhevdet Doda”, por një rrugë në qendër të Prishtinës, që kufizohet me sheshin “Nëna Terezë”, e mban emrin “Opoja”, një inversion sa fatal, po aq patetik. Si është e mundshme që një komision që supozohet të jetë përbërë nga ekspertë, emrin e Faruk Begollit t`ia vendosë një rruge qorre që shkon për në Gërmi?!
Paradokse kësisoj kanë bërë që sot shumë emërtime rrugësh të marrin konotacion komik. Kush mund ta shpjegojë pse një rrugë duhet ta bartë emrin “Muharrem”, “Pulmologjia”, “Shëndeti” apo “Fontana”. Është anakronike pse komisionet kanë vendosur që emrat domosdo t`i vendosin në rrugët ku kanë jetuar personalitetet që mbajnë emrat e tyre, apo që të vendosen emra varësisht nga natyra e institucioneve që ndodhen në atë rrugë. Gjimnazi “Xhevdet Doda” ndodhet në rrugën që mban emrin e tij. Kjo nuk është rastësi, por zgjidhje folklorike e Komisionit që korrespondon edhe me emërtimet e mësipërme.
Një rrugë në lagjen “Pejton”mban emrin “Harmonia”, gjë që i shkon më së paku asaj. Me disa shtëpi njëkatëshe, pastaj mbi to shumëkatëshet, një rrugë ku mezi përbirohet një veturë, me një xhumbuz telash të rrymës, se kujt i ka shkrepur në mendje që atë ta pagëzojë me emrin “Harmonia”. Aty ka gjithçka, përpos harmonisë!
***
Emra për t`i nderuar rrugët, por jo rrugë për t`i nderuar emrat. Kjo në funksion edhe të turizmit kulturor, sepse është krejt e natyrshme që një vizitor italian që rastis të jetë në Prishtinë mund t`i bëjë përshtypje e mbase edhe të fotografohet para tabelës me emrin e rrugës “Garibaldi”. Njësoj do të bënte një francez me Rene Dekartin. Në këtë kontekst është e pakuptimtë që emrat si Victor
Hugo, Milan Šufflay , Wolfgang Amadeus Mozart t`u vihen rrugëve tejperiferike apo qorre, në të cilat kalojnë veç banorët e atyre rrugëve.
Prandaj nuk duhet të ekzistojë praktika, mbi bazën e së cilës komisionet që krijohen për emërtimin e rrugëve të reja pastaj t`i prekin emërtimet aktuale pa pasur as më të voglin arsyetim.
E panatyrshme, por edhe e pakapshme. Thuhet se Londra nuk i ka prekur emërtimet e rrugëve që nga koha kur ka jetuar Shekspiri. Por në Shipol të Mitrovicës trishtohen anglezët kur ta shohin një tabelë të vendosur në një fushë mbuluar me mbeturina emrin e tij të shqiptarizuar “William Shekspir” (William Shakespeare).
Këto gabime ortografike janë bërë pjesë e pandashme e emërtimeve kudo. Ndaj emra si Xhemi Shia (Jamie Shea) e Vesli Klark (Wesley Clark) janë shkruar si mos më keq.
Në këtë pikë komunat duhet të krijojnë standard dhe emrat e të huajve t`i shkruajnë në origjinalin e tyre. Por jo të krijojnë derivate emrash, të cilët lëre më që s`do t`i njihnin edhe vetë bartësit e tyre, por do të merrnin konotacion pezhorativ sikurse emri i shkrimtarit shqiptar Sterjo Spasse, që një kohë të gjatë në tabelë ishte shkruar Stereo Spase.
Diskutime rreth kësaj post