Janë duke u bërë përgatitjet e fundit për ceremoninë që do të organizohen për të pritur ish-presidentin amerikan Bill Clinton.
Teksa pritet që për pak ky i fundit të mbërrijë në Rinas, ku do të pritet nga kreu i qeverisë Edi Rama, pjesa nga ura e ‘Lanës’ deri te kryeministria tashmë është e bllokuar.
Sakaq ajo që bie në sy është dhe një autobus i hapur me të cilin pritet që të ketë një parakalim të presidentit Clinton. Autobusi shihet se është i hapur, në të cilin shkruhet OpenBus Albania.
Gjithashtu në autobus janë pikturuar flamuri amerikan dhe shqiptar.
Rrugët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë të mbushura me flamujtë amerikanë dhe shqiptarë, sakaq një banderolë e madhe me foton e Clinton dhe mbishkrimin “Mirëseredhe zoti President!” është varur mbi fasadën e Politeknikut.
Për herë të parë, presidenti i 42 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Clinton, prek sot tokën shqiptare, ku do të qëndrojë deri në 4 korrik, ditë që përkon me pavarësinë e SHBA.
Clinton do të pritet me ceremoni zyrtare nga kryeministri Edi Rama ndërsa do të dekorohet me dekoratën e lartë “Ylli i Mirënjohjes për Arritjet Publike”. Presidenti Clinton do të mbajë edhe një fjalim përgjatë Ceremonisë. Kjo është vizita e parë e presidentit të 42 të SHBA në Shqipëri.
Vizita e Klinton vjen në një moment tensionesh në rajon, kryesisht në Veri të Kosovës.
Rrugët që do të bllokohen në kuadër të vizitës së ish presidentit amerikan:
Drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë rrugën dytësore nga Vora, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi më datë 03.07.2023, nga ora 14:00 deri në orën 15:30, do të jetë të bllokuara rrugët:
Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”.
Gjithashtu, këto rrugë do të jenë të bllokuara edhe më datë 04.07.2023, nga ora 13:30 deri në orën 15:30.
Rrugë të tjera që do të bllokohen janë:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ukraina e Lirë”.
Diskutime rreth kësaj post