Politika shqiptare ka ndarë sot mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Italisë, Silvio Bersluconi.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj e ka cilësuar lajm të trishtë humbjen e Berlusconit, mikun e shqiptarëve.
“Lajm i trishtë! Miku i shqiptarëve, Silvio Berlusconi, ndahet nga jeta. U prehtë në paqe!”- shkruan Begaj në mesazhin e ngushëllimit.
Ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e Berlusconit, duke e quajtur si politikan novator dhe sipërmarrës brilant që modernizoi politikën italiane.
“Thellësisht i pikëllua për vdekjen e Silvio Berlusconit, një politikani novator dhe një sipërmarrës gjenial, i cili modernizoi të djathtën italiane dhe e udhëhoqi me largpamësi në një periudhë transformimi të madh.
Falë edhe kontributit të tij, Shqipëria dhe Italia kanë forcuar lidhjet e tyre historike duke hedhur themelet e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve, veçanërisht në momentet tona më të vështira, kur mbështetja e tij dhe e qeverive të tij nuk ka munguar asnjëherë në rrugëtimin tonë në euroatlantik.
Ngushëllimet e mia më të thella familjes së tij, Forza Italia dhe popullit italian për humbjen e një prej shtetarëve më të rëndësishëm të kohës sonë. U prehtë ne paqe!” – shkroi Basha.
Më herët edhe kryeministri Edi Rama shprehu një mesazh lamtumire për ikjen e politikanit të njohur italian.
“Lamtumirë President dhe mik i mirë i Shqipërisë”, shkruan Edi Rama, por në gjuhën italiane.
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ndau një foto të hershme nga një takim me Berlusconin, teksa shkroi se është i trishtruar për ndarjen nga jeta të politikanit të famshëm italian.
“Thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të Presidentit Silvio Berlusconi, të admiruar për lidershipin frymëzues!
Duke vlerësuar lart kontributin e Tij të jashtëzakonshëm për forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Italisë, jam i bindur se do të kujtohet përherë me respekt.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe popullin italian për këtë humbje të madhe!”, ka shkruar Meta.
Diskutime rreth kësaj post