Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, prezantoi sot gjatë një takimi në Vlorë, nisja më 15 nëntor 2016, të proçesit të regjistrimit të popullsisë, nën logon “Popullimi”, nga 1200 të rinj që do të shkojnë derë me derë, për të marrë informacione dhe në bashkëpunim me institucionet vendore do të realizojnë këtë proçes.
Ky regjistrim vjen pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në vend, ndërsa ministri Tahiri theksoi se me këtë regjistrim qytetarëve iu sigurohet e drejta e zgjedhjes. Duke sjellë një shembull ministri tha se, nuk do të ketë më qytetarë që jetojnë në Vlorë dhe gjendjen civile e kanë në Himarë.
Ministri Tahiri, duke u ndalur në punën e bërë nga qeveria dhe reformat që ka ndërmarrë, si në sektorin e energjisë e më pas, për proçesin e popullimit, thesoi se ky regjistrim, do të japë një pasqyrë të qartë të qytetarëve që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë vendit.
“Popullimi është një ndër reformat më të rëndësishme. Në qoftë se e nisëm me barazinë para ligjit për qytetarët, sot duhet të vazhdojmë me identifikimin dhe popullimin e çdo qytetari dhe banese në Republikën e Shqipërisë. Sot, ndoshta jemi vendi i vetëm në rajon, në Europë po e po, që pyetjes: Sa shqiptarë jemi në Shqipëri i përgjigjemi më përafërsi, afërsisht 3 milionë. Kurrkush nuk ka një përgjigje të saktë”, deklaroi Tahiri.
Sipas tij, kjo gjë pamundëson shërbimet e shtetit ndaj qytetarëve, ndaj tha ai duhet të fillojmë nga A-ja.
Ministria e Punëve të Brendshme ka ideuar dhe po implementon me Ministrinë e Energjetikës, “Popullimin”. Sepse na duhet të shkojmë derë më derë për të marrë të gjithë informacionin e domosdoshëm nga qytetarët lidhur me adresën dhe jo vetëm. Ky është një proces shumë i vështirë, ku mbi të gjitha është një proçes historikisht i përsëritur në Shqipëri, u shpreh ministri i Brendshëm.
Tahiri deklaroi se 1.200 të rinj që do të rekrutohen, duhet të plotësojnë një sërë kriteresh profesionale dhe mbi të gjitha të integritetit për ta bërë këtë proces në mënyrë sa më korrekte, sa më transparente duke hequr çdo mundësi që edhe nëpërmjet teknologjisë që procesi të mos zhvillohet në kohë apo të mos jetë i saktë.
Në aktivitet morën pjesë veç të zgjedhurve vendorë të këtij qarku, edhe ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri, Drejtori i OSHEE Ardian Çela, Prefektja e Vlorës Etjona Hoxha dhe zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Diskutime rreth kësaj post