Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj dekoroi me Titullin “Naim Frashëri” këngëtaren shqiptare me famë botërore Rita Ora për mirënjohje për aktivitetin dhe rolin e saj si ambasadore në çështje me ndjeshmëri të lartë kombëtare dhe globale”.
“Jam i sigurt se ky nderim sot mbart vlerësimin e çdo artdashësi në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në botë. Janë miliona njerëz që mendojnë se ti je shembulli më i qartë se kur talenti dhe dimensioni njerëzor ndërthuren së bashku, krijojnë vlera të jashtëzakonshme që frymëzojnë globalisht. Dhuntia jote, një zë i mrekullueshëm, së bashku me shumë talente te tjera që mbart, të kanë shndërruar në një njeri që ka rrëmbyer zemrat e miliona artdashësve.
Me krenari, të gjithë kemi parë se si zëri yt jo vetëm e ka pasuruar fondin e muzikës botërore, por është një zë i fuqishëm edhe në shumë kauza sociale e kulturore, të cilat ndihmojnë për ta bërë botën një vend më të mirë për të gjithë. Shqipëria dhe Britani e Madhe kanë një histori të gjatë bashkëpunimi. Ne festuam 100 vjetorin e marrëdhënieve tona. Java e kulturës britanike që ne festojmë, tregon se jo vetëm nëpërmjet kulturës, por edhe përmes biznesit, ekonomisë dhe politikës, lidhja jonë do të jetë e fortë për shumë vite të tjera në vijim. Uroj që edhe në të ardhmen ta sfidosh veten duke u nxitur nga kjo ambicie artistike e fortë dhe duke plotësuar ëndrrat e tua, ta bësh mbarë botën të ëndërrojë. Së fundi, me lejo të them se, nëse për botën je një artiste e madhe, për ne je gjithnjë një burim krenarie”, ka thënë Presidenti Begaj në ceremoninë e dekorimit të Rita Orës.
Ylli shqiptar me famë ndërkombëtare do të këndojë nesër 6 shtator, ora 20:00në sheshin “Skënderbej”. Koncerti do të jetë falas për të gjithë ata qytetarë që duan të shohin nga afër këngëtaren.
Krah Rita Orës do të performojnë edhe këngëtarë të tjerë shqiptarë si Ronela Hajati dhe Kida.
Diskutime rreth kësaj post