Përveç alkoolit e duhanit, të miturit do të mbrohen edhe nga pijet energjike dhe ato me gaz që përmbajnë sheqer të shtuar.
Një grup deputetësh kanë bërë gati një projektligj, që propozon ndalimin e tregtimit dhe ofrimit të këtyre pijeve personave nën 18 vjeç, jo vetëm në ambientet e shkollës, por edhe në dyqane, bare apo restorante.
Katërmbëdhjetë nenet e projektligjit që do jenë pjesë e ligjit “Për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit” synojnë kufizime si në përdorim tregtim apo reklamim të pijeve të tilla për të miturve, duke e shoqëruar me gjoba edhe për të rriturit, e cila varion nga 10-30 mijë lekë, në varësi të vendit ku ofrohet pija.
Sanksione ka edhe për reklamimin e tyre në mjedise publike, rrugë a parqe, gjobë e cila varion nga 100-200 mijë lekë. Projektligji propozon kufizime të njëjta por pijet energjike dhe ato me gaz, të cilat përmbajnë sheqer të shtuar, njësoj si për alkoolin porsa i takon publicitetit në media në institucionet arsimore që frekuentojnë fëmijët e adoleshentët.
Një problematikë e njëjtë është ngritur përpara pak muajsh edhe në Kosovë. Komisioni i Shëndetësisë në shtetin fqinj ka vendosur që në të gjitha pijet e tilla të shënjohet “+18”, të ndalohet shitja e tyre brenda dhe në afërsi të shkollave, ndërsa shumë shpejt kërkon krijimin e kornizës ligjore. Konsumi i pijeve të tilla vitet e fundit ka qenë pjesë e shqetësimeve në disa vende të botës, disa prej të cilave tashmë i kanë marrë masat e tyre, duke lejuar shitjen vetëm në farmaci si dhe aplikimin e masave vullnetare për të ulur konsumin.
Të tjera vende kanë forcuar kuadrin rregullator të marketingut të pijeve jo të shëndetshme për fëmijët, duke vendosur kufizime në orare apo në programe të caktuara. Përveç vakumit ligjor të deritanishëm, Shqipëria nuk ka ndërmarrë asnjë studim për pasojat negative të këtyre pijeve.
Edhe relacioni shoqërues i projektligjit përdor si argumente studime të disa vende të BE-së, të cilët kanë nxjerrë të dhëna problematike, ndërsa rendisin rreziqe pafund si pasojë e përdorimit të tepërt të pijeve energjike, duke nisur nga nervozizmi, tensioni e pagjumësia e deri te varësia e arresti kardiak.
TE DHENA DHE ARGUMENTE KUNDËR
Një në tre të rinj raporton konsum të pijeve energjike
Pijet energjike përbëjnë 20% të produkteve ushqimore, që gjenden në treg. Me rritjen e pranisë se tyre në treg, po aq i lartë është edhe rreziku toksik nga taurina ose mbidoza nga kafeina.
Edukimi mbi ushqyerjen e shëndetshme, pjesë e kurikulës, ndërkohë që brenda mjediseve të saj lejohet tregtimi i pijeve energjike dhe ato me gaz. Konsumi i pijeve energjike nga fëmijë e adoleshentë lidhet me tre sjellje të rrezikshme: përdorimi i alkoolit, konsumi i duhanit dhe ai i drogave.
Ekspozimi mesatar i kafeinës në pijet energjike – 23.5 mg/ditë për adoleshentët
14 rreziqe të përdorimit të tepërt të pijeve energjike: arrest kardiak; dhimbje koke e migrenë; rritje e ankthit; diabet të tipit 2; pagjumësi; ndërveprim me medikamente; varësi; sjellje e rrezikshme; çrregullime dhe nervozizëm; të vjella; reagime alergjike; presion të lartë gjaku; overdozë niacine dhe lirim të hormonit të stresit
Pijet e gazuara janë burimi kryesor i sheqernave të shtuara, të dendura me kalori dhe sasi të vogla lëndësh ushqyese. Kjo rrezikon obezitet, karies dentar, diabet, pubertet të hershëm dhe sjellje agresive, si te fëmijët dhe adoleshentët.
OBSH: 14% e të rinjve nga mosha 11-15 vjeç konsumojnë pije energjike 2-4 herë në javë, ndërsa 5% ishin konsumatorë të përditshëm.
Diskutime rreth kësaj post