Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se kompanitë e nëndrejtorit të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Bardhi Meli kanë përfituar të paktën dy kontrata në vlera të mëdha nga kompania hidrokarbure “Phoenix Petroleum.”
Dy kompanitë Kesi Sha dhe Superstar-WB, ku Meli zotëron 50 përqind të aksioneve dhe administrohen nga vëllai i tij, Neshat Meli kanë lidhur dy kontrata shërbimi afatgjatë me “Phoenix Petroleum” për pastrimin e puseve dhe përpunimin e mbetjeve të naftës, duke krijuar shqetësime për një marrëdhënie në kushtet e konfliktit të interesit.
Kompania Phoenix Petroleum ka pasur një kontratë koncesionare me Albpetrol për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e Armonicës në jug të Shqipërisë.
Kjo kontratë u prish përpara kohe në Mars 2017, pasi kompania kishte akumuluar detyrime financiare dhe ato të naftës bruto ndaj Albpetrol-ndërsa akuzohet se nuk ka kryer investimet e kërkuara në përputhje me kontratën dypalëshe dhe ka keqmenaxhuar vendburimin.
Sipas Albpetrol, kompania Phoenix Petroleum “nё shumё raste ka dorёzuar dokumenta false, ka kryer kontrabandё dhe ka mashtruar me garancitё bankare.”
BIRN ka mësuar që kjo kompani është aktualisht nën hetim nga Prokuroria e Fierit për kontrabandë, evazion fiskal dhe pastrim parash.
I pyetur nga BIRN mbi kontratat, Meli u shpreh që ai i posedonte aksionet në formë pasive dhe nuk kishte rol në vendimmarrjen e kompanive.
“Është e vërtetë që këto kompani i kam krijuar me tim vëlla, por unë në përputhje me ligjin kam deklaruar pozicionin tim dhe tashmë statusi im në zotërimin e këtyre kompanive është ai pasiv,” tha Meli.
“Kjo do të thotë se unë as nuk kontrolloj dhe as nuk menaxhoj më këto kompani. Unë ia kam besuar dikujt tjetër të menaxhojë aksionet e mija, kështu që unë nuk e ndiej veten në konflikt interesi,” shtoi Meli.
Në komunikim me BIRN, drejtori i AKBN-së Vitor Tushaj mohoi gjithashtu të kishte informacion për ndonjë konflikt të mundshëm interesi të zëvendësit të tij.
“Unë nuk jam në dijeni të këtyre fakteve, por ju garantoj që do të ndërhyj dhe zbatoj ligjin për çdokënd që vepron në kundërshtim me të,” tha Tushaj.
“Nëse ju paraqisni fakte që vërtetojnë që qoftë dhe nëndrejtori i AKBN-së është në konflikt të hapur me ligjin, ju garantoj që do të veproj,” shtoi ai.
Një koncesion me probleme
Me 16 Gusht 2013, qeveria në ikje e ish kryeministrit Sali Berisha i dha kompanisë Phoenix Petroleum një kontratë 25-vjeçare për shfrytëzimin e vendburimeve naftës në Amonicë, Drashovicë e Pekisht-Murriz, si dhe vendburimet e gazit në Panaja, Frakull, Povelçë, Divjakë, Ballaj-Kryevidh dhe Finiq-Krane.
Sipas kontratës koncesionare, kompania shqiptare – në pronësi të biznesmenëve Naim Kasa dhe Isuf Berberi- merrte përsipër të kryente një investim prej 2.7 milionë USD, e cila mbulohej nga një garanci bankare e depozituar në AKBN.
Por sipas Albpetrol, kompania Phoenix Petroleum jo vetëm që nuk e ka zbatuar marrëveshjen, por është përfshirë gjithashtu në aktiviteve të paligjshme si kontrabanda dhe pastrimi i parave.
Aktiviteti i dyshuar si i paligjshëm si dhe detyrimet e akumuluara ndaj Albpetrol, e shtynë këtë të fundit që të prishte kontratën koncesionare me Phoenix Petroleum me 9 Mars 2017, si dhe të depozitonte një padi penale kundër drejtuesve të saj.
“Situata e gjetur nё momentin e marrjes sё vendburimit qё ishte nё pёrdorim nga kompania Phoenix Petroleum ishte katastrofike,” tha Albpetrol në një njoftim për shtyp në 27 Prill.
“Jo vetёm qё nuk ishin kryer investimet e premtuara, por edhe gjendja e aseteve tё trashёguara nga Albpetrol sh.a kishte degjeneruar rёndshёm,” shtoi ajo.
Sipas Albpetrol, kompania Phoenix Petroleum ka akumuluar më shumë se 1.3 milionë euro detyrime, “për shkak se është toleruar nga zyrtarë të AKBN-së në konflikt interesi”.
“Shprehim keqardhjen qё disa institucione shtetёrore bёhen palё me njё kontraktor qё nё shumё raste ka dorёzuar dokumenta false, ka kryer kontrabandё, ka mashtruar me garancitё bankare duke pёrfituar nё mёnyrё tё padrejtё nga AKBN mbi 1,300,000 USD dhe shumё vepra tё tjera, pёr tё cilat Albpetrol, nё mungesё tё reagimit nga ana e AKBN, i ёshtё drejtuar Prokurorisё duke kallёzuar shtetasit Isuf Berberi dhe Naim Kasa, pёrfaqёsues tё shoqёrisë Phoenix Petroleum,” tha Albpetrol.
“Pёr mё tepёr, Albpetrol ka konstatuar se titullarё tё AKBN janё tё pёrfshirё nё konflikt interesi me kёtё shoqёri pasi, ndonёse e kanё tё ndaluar me ligj, pёrfitojnё kontrata dhe naftё bruto nga shoqёria Phoenix Petroleum nё mёnyrё direkte pёrmes disa shoqёrive ku janё aksionerё,” përfundoi ajo.
Naim Kasa, administratori i Phoenix Petroleum nuk ishte i arritshëm për koment mbi akuzat.
Dy kontrata në një ditë
I diplomuar si inxhinier nafte dhe gazi në Universitetin e Tiranës, nëndrejtori i AKBN-së, Bardhi Meli ka një karrierë të gjatë si biznesmen, kryetar bashkie dhe zyrtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Sipas CV-së së tij, përpara se të bëhej nëndrejtor i AKBN-së në vitin 2013, Meli ka shërbyer si kryetar bashkie i Patosit nga viti 2007 deri në vitin 2011, si dhe administrator i kompanive Kesi Sha, Superstar-WB dhe Muho-Meli. [Kliko këtu për CV e Bardhi Meli]
Ai ka kandiduar katër herë për deputet në listat e LSI-së – përfshirë në zgjedhjet parlamentare të këtij viti ku renditet i nënti në listën e LSI-së për qarkun e Fierit.
Aktualisht Meli zotëron 50 përqind të aksioneve në kompanitë Superstar-WB dhe Kesi Sha, të cilat drejtohen nga i vëllai Neshat Meli.
Me datë 1 Janar 2015, “Kesi’ Sha ka nënshkruar një kontratë me kompaninë hidrokarbure Phoenix Petroleum, e cila është e motivuar si e domosdoshme për kryerjen e operacioneve hidrokarbure në vendburimin e naftës Amonicë, Pekish, Finiq, në bazë të marrëveshjes koncesionare. [kliko këtu për kontratën]
Objekti i kontratës është kryerja e shërbimeve, për “grumbullimin, transportin, ruajtjen e depozitimit, përpunimit dhe asgjësimit të mbetjeve të naftës.”
Sipas aneksit 1 të kësaj kontrate, kompania “Kesi” sha, e themeluar në vitin 2002 nga Bardhi Meli, merr përsipër kryerjen e këtyre shërbimeve kundrejt tarifave që janë të përcaktuara.
Për pastrimin dhe transportin e dherave të kontaminuar, kompania merr 50 USD për metër kub dhe për evadimin, transportin dhe injektimin e ujërave të dala nga procesi i dekantimin të puseve, 8 USD për m3. Këto shërbime, një kompani që shfrytëzon vendburimet e naftës është e detyruar t’i kryejë të paktën një herë në muaj.
Ekspertë të hidrokarbureve i thanë BIRN se Kesi sh.a është ndër të paktat kompani që kryen shërbime të tilla në industrinë e naftës. Fitimi i kompanisë për vitin 2015, sipas dokumenteve të dorëzuara në Regjistrin Kombëtar të Bizneseve është 6.9 milionë lekë, ndërsa për vitin 2016 kompania nuk i ka deklaruar ende bilancet.
Në 1 Janar 2015, Phoenix Petroleum ka nënshkrua gjithashtu një kontratë shërbimi me një tjetër kompani që është krijuar nga vëllezërit Meli, “SUPERSTAR-WB”, ku nëndrejtori i AKBN-së zotëron gjithashtu 50 % të aksioneve. [kliko këtu për kontratën]
Bëhet fjalë për një kontratë për kryerjen e shërbimeve të remontit nëntokësor dhe likuidim avarish në vendburimet e gazit të naftës Amonicë. Kjo kontratë, ngjashëm me kontratën e sigluar me ‘Kesi’ Sha ka një kohëzgjatje 20 vjet, ndërkohë që çmimet e shërbimit janë rinegociuar mes palëve më 11 Nëntor 2015.
Çmimet e kontratës me “SUPERSTAR-WB”, janë përcaktuar në njësi dhe orë pune. Kontrata është ndarë në zëra, ku për 1 orë pune remonti me sondë është përcaktuar çmimi 18, 000 lekë, si dhe punimet gjeofizike për matjen e temperaturës dhe kontaktit ujë naftë 84,000 lekë. Autobotet me ujë të pastër paguhen me 5,000 lekë për orë pune ndërsa agregatet e çimentimit me 376,800 lekë.
Përshkrimi i punimeve në aneksin e parë është ndarë në katër zëra, ndërsa në aneksin e dytë është përfshirë tarifa e punës për një orë të ekskavatorit, që është 5, 500 lekë dhe punime të tjera, të tilla si saldator dhe axhustator që për një orë pune, çmimi është përcaktuar 600 lekë.
Sikur kompania “SUPERSTAR-WB” t’i ketë ofruar vetëm nga një orë pune për të gjitha zërat e përcaktuar në aneksin e përshkrimit të punimeve dhe çmimeve, vlera e kësaj kontrate është 419,720 lekë.
Sipas një eksperti të fushës së hidrokarbureve, i cili foli për BIRN në kushte anonimati, nisur nga prospektet inxhinierike, nga koeficientet e shfrytëzueshmërisë dhe situatës se industrisë, masa totale e ndërhyrjes me remonte nëntokësore është jo më pak se 10-14 remonte në vit.
Vendburimet në zotërim të kompanisë Phoenix Petroleum janë rreth 100 puse, nga të cilët 30 prej tyre janë ruajtur në gjendje aktive dhe vazhdojnë të nxjerrin naftë nga nëntoka.
Bazuar në përllogaritjet e vlerave të paraqitura në kontratën e lidhur mes kompanisë dhe nënkontraktonit, presupozohet që vlera vjetore e transaksionit vetëm për shërbimet e remonteve nëntokësore të jetë minimalisht rreth 50 mijë USD.
Natyrisht që këtu nuk janë të përfshira dhe punime të tjera që përfshihen në këtë kontratë si punime të veçanta civile apo avari të ndryshme që mund të kenë ndodhur, të cilat e çojnë shifrën e njërës prej kontratave në më shumë se 200 mijë USD.
I pyetur nga BIRN, Bardhi Meli mohoi të ketë përfituar para nga e drejta e zotërimit të 50 përqind të aksioneve të shoqërisë “Superstar-WB”, për shkak të lidhjes së kësaj kontrate dhe rolit të tij si titullar në AKBN.
“ Unë kam hequr dorë nga zotërimi i këtyre aksioneve që kur kam marrë detyrën e nëndrejtorit të AKBN-së dhe nuk kam përfituar asnjë të ardhur prej aktivitetit të kësaj kompanie,” tha ai.
“Këto janë kompani që unë i kam krijuar kur nuk zotëroja këtë pozicion në AKBN, tashmë menaxhohen nga vëllai im,” përfundoi ai.
BIRN
Diskutime rreth kësaj post