Qyteti i Shkodrës u trondit sot nga një ngjarje e rëndë, ku një nënë 32-vjeçare u arrestua me akuzën se ka vrarë foshnjën e saj të sapolindur, duke e hedhur në lumin Kir.
Bëhet fjalë për Orjana Gremin, e cila e kishte lindur foshnjën më datën 30 dhjetor.
Në lidhje me këtë ngjarje ka folur edhe mjeku Sajmir Selmanaj, i cili është shprehur se 32-vjeçarja është dërguar nga kolegët e punës në spital dhe se kanë qenë ata që e kanë bindur që të mos e lindte fëmijën në jetimore.
“Me datë 30 dhjetor 2022 është sjellë nga kolegët e punës në urgjencën e spitalit rajonal të Shkodrës ku nuk ka treguar se cili është shqetësimi i saj deri në momentin e shpërthimit të ujërave. Është sjellë në repartin e Gjinekologjisë dhe ka qenë e vetme. Që në momentin e parë, kemi pasur frikë se do ta linte fëmijën në maternitet.
Kemi njoftuar policinë dhe psikologun dhe gjatë gjithë kohës është asistuar nga psikologu. Lindja e saj ka qenë me datë 30 rreth orës 11. Lindja e saj ka qenë normale dhe pa asnjë problem shëndetësor. Kanë ardhur kolegët e punës ku ajo ka punuar në një fabrikë këpucësh, të cilët i kanë sjellë dhurata dhe lekë dhe e kanë bindur që të mos e linte fëmijën në jetimore por ta mbante.
Me datë 4 ajo ka bërë daljen nga spital ku pasi ka kryer të gjitha procedurat ka marrë dhe çekun e bonusit të fëmijës të firmosur. Është larguar me taksi nga spitali dhe nga ai moment nuk dimë gjë më tepër. Dimë se nuk ka dashur të tregonte emrin e babait të fëmijës. Ndërsa sa i përket gjendjes shëndetësore të saj dhe të foshnjës gjatë gjithë kohës ka qenë e mirë“, ka thënë mjeku, raporton Abc.
Diskutime rreth kësaj post