E gjithë pasuria e Orest Sotës pritet të kalojë nën sitën e prokurorisë. Biznesmeni 25-vjeçar do të duhet të justifikojë para drejtesisë burimin e 863 mijë eurove që iu gjetën në makinë, së bashku me dy patenta për lundrim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Ai ka deklaruar se paratë i kishte për të paguar një paradhënie në kompaninë Kurum për të blerë hekur për një firme ndërtimi të babait të tij. Por ky version nuk e ka bindur Prokurorine e Elbasanit dhe as gjykatën që e la në burg.
Prokuroria dyshon se kjo shumë mund të ketë ardhur nga aktivitete të paligjshme ose nuk është deklaruar për t’iu fshehur tatimeve.
Nisur nga këto dyshime, dosja mund të kalojë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Tv Klan mëson se Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Elbasanit po shqyrtojnë të dhënat hetimore dhe do të vendosin për të nisur hetimin për pasuritë e Sotës dhe të afërmve të tij.
Në sitën e hetuesve mund të kalojë kompania “Eko Konstruksion” e Sotës apo firma e ndërtimit e babait të tij. I ati i Sotës mësohet se është shprehur se paratë ishin kursimë të tij ndër vite dhe ishin të destinuara për blerjen e hekurit te kompania Kurum.
Burime nga grupi hetimor thonë se pritet që të merren deklarime në formë proceduriale nga drejtuesit dhe menaxherët e kompanisë turke, në Elbasan.
Ata pritet të japin deklarime nëse kishin porosi për hekur nga biznesmeni Sota dhe nëse kishin ndonjë pagesë për të marrë me paratë që mbante me 25-vjeçari.
Edhe pse dosja mund të kaloje te Krimet e Rënda, burime nga grupi hetimor sqarojnë se deri tani nuk ka ndonjë të dhënë për ta bashkuar dosjen e biznesmenit me hetimin e nisur për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, si të përfshirë në grupin e trafikut të drogës, të drejtuar nga vëllezërit Habilaj.
Diskutime rreth kësaj post