Avokat Spartak Ngjela e konsideron të suksesshme ndërmarrjen e vendimit për listat e hapura në Shqipëri.
Në një internistë për ‘Bota Sot’, Ngjela shprehet se tashmë ka ndryshuar gjithçka në politikën shqiptare dhe priten zhvillime akoma më të fortë me veprimin e SPAK.
Sipas Ngjelës në zgjedhjet e 2021 nuk do të mund të kandidojnë as Berisha, as Rama, as Basha dhe as Meta, pasi duhet të jene nën akuzë për pronësinë e paligjshme që kanë në disponim.
“Kjo është një ndërmarrje pozitive, sepse, deri tani, shqiptarët kanë 12 vjet që nuk e dinë se për cilin individ po votojnë. Ka qenë një kryetar partie, i cili që nga viti 2008, e në çdo proces elektoral, u ka thënë shqiptarëve: hani këtë supë! Se kjo është supa ime, dhe unë jam seleksionuesi absolut i atyre që ju duhet të sillni në Parlament. Por, tani ndryshoi gjithçka.
Megjithatë, duhet të përmendim këtu se Shqipëria ndërkohë ka katër vjet që ka hyrë në një reformë antikorrupsion, në të tre pushtetet kushtetues: në pushtetin legjislativ, në pushtetin ekzekutiv dhe në pushtetin gjyqësor. Tani kjo goditje ligjore antikorrupsion ka hyrë në një fazë konkrete: pasi janë përjashtuar për korrupsion rreth 60 përqind të gjyqtarëve dhe prokurorëve; dhe, pasi ka filluar edhe goditja në pronësinë e paligjshme të krimit të organizuar, shpejt pritet të fillojë kontrolli dhe goditja kundrejt regjistrit të lartë të politikës, nën procedurën e rreptë ligjore të strukturës institucionale, tashmë të formuar dhe që quhet SPAK.
Në funksion të kësaj reforme, na duhet të themi se, ashtu si do të shkojë situata antikrim në Shqipëri, as Berisha, as Rama, as Basha dhe as Meta, nuk besoj se do të kenë mundësi të kandidojnë në zgjedhjet e vitit 2021, sepse duhet të jene nën akuzë për pronësinë e paligjshme që kanë në disponim. Ne sot në Shqipëri vetëm këtë shpresë kemi, dhe do ta realizojmë se e ka marrë në dorë politika amerikane dhe ajo e Bashkimit Evropian. Por, më duhet të arsyetoj se, pas pastrimit antikorrupsin në Tiranë, kjo valë do të kalojë edhe në Prishtinë. Të dy shtetet shqiptare janë të pushtuara nga liderë të korruptuar që, si të tillë, po luajnë edhe kundër interesit kombëtar. Por janë të identifikuar, dhe jam i bindur kur them se do të likuidohen”, shprehet Spartak Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post