Aktualisht janë më shumë se 400 kompani turke që veprojnë në Shqipëri si, në fushën e energjisë, minierave, telekomunikacionit, tekstileve, sistemin bankar, logjistikë dhe shëndetësi. Numri i të punësuarve në to është më shumë se 15 mijë vetë.
Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük u shpreh në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, “marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve zënë një vend të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe”.
“Vlera e përgjithshme e investimeve të sektorit privat turk në Shqipëri është afër 3 miliardë dollarë. Ndërsa vëllimi ynë tregtar në vitin 2017 ishte rreth 450 milionë dollarë. Por ne nuk i konsiderojmë të mjaftueshme këto shifra si në investime, ashtu edhe në vëllimin tregtar dypalësh”, tha Yörük.
Por, shtoi ai, “potenciali ynë është shumë i lartë se këto shifra. Kemi mundësi për të investuar në shumë sektorë si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, transport, energji, miniera dhe turizëm. Sot ekonomia turke është e 16-ta në botë. Në vitin 2017 me një rritje mesatare 7.4 për qind ishte ekonomia me rritjen më të shpejtë në botë. Kemi një ekonomi dhe infrastukturë dinamike dhe në zhvillim”.
“Ne parashikojmë që këtë potencial ta mobilizojmë në të mirë të Shqipërisë dhe kështu të kontribuojmë për mirëqenien, punësimin dhe rritjen e të ardhurave për vëllezërit tanë shqiptarë. Në potencialin tonë për investime sigurisht që nuk ka një limit. Në vitin 2013, pra në vitin 100-vjetorit të “Marrëveshjes sonë të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit” dhe të shpalljes së Republikës së Turqisë, dëshirojmë që investimet tona të arrijnë në 5 miliardë dollarë e më shumë dhe që numri i të punësuarve në kompanitë tona të kalojë shifrën 30 mijë”, theksoi Yörük.
Veçanërisht, nënvizoi ai, “në fushën e turizmit Shqipëria ka një potencial të madh. Por po të krahasohet me vendet përreth, vërejmë se pjesa që merr Shqipëria nga të ardhurat e turizmit është e ulët. Po të shikojmë bukuritë natyrore, bregdetin madhështor dhe të pastër, pasuritë historike dhe kulturore, duket qartë se Shqipëria mund të përfitojë shumë më tepër nga turizmi”.
Diskutime rreth kësaj post