Në shkollë thotë se merr vetëm 10-ta e 9-ta, e ndonjëherë kur ‘nuk është i përqendruar’, merr ndonjë 8-të. Por teksa për studimet nuk i mungon vullneti, këtij vogëlushi 11 vjeçar nuk i mungon as dëshira për t’i ardhur në ndihmë familjes. Ai është ende fare i vogël, e sërish i është bërë ndihmë nënës e babait të tij. Kur ka kohë të lirë gjatë javës dhe përgjatë fundjavës, Kevini del pranë zonës së ‘9 katësheve’ në kryeqytet dhe shet lule.
“Fitoj 10, 15, 5 mijë lek në ditë, varet sesi ecën puna, sipas njerëzve që blejnë lule, duan apo nuk duan” -tregon 11 vjeçari.
Report Tv i ka marrë një prononcim 11 vjeçarit, i cili tregon se e ndjen si detyrim të ndihmojnë familjen.
-Sa e lodhshme është kjo për ty?
Kevin: Është e lodhshme sepse jam gjithë ditën në ecje. Sipas kushteve duhet të punoj patjetër, sepse po të jem mirë nuk kam përse të dal. E ndjej veten se duhet të punoj, jo se më thonë prindërit duhet të dalësh patjetër. E kuptoj që duhet të dal për të shitur lule, që të bëj lekë.
-Prindërit çfarë pune bëjnë?
Kevin: Mami pastruese, ndërsa babi ndihmës pompash
-A ndihesh i paragjykuar kur të shohin bashkëmoshatarët duke shitur lule?
Kevin: Shokët nuk më paragjykojnë, madje më mbështesin, nuk më thonë që jam i varfër.
-A shkon në shkollë?
Kevin: Shkoj në shkollë dhe jam shumë mirë me rezultate.
Çfarë notash merr?
Kevin: Marr 9, 10-ta. Ndonjëherë edhe 8, kur nuk jam shumë i përqendruar”.
Diskutime rreth kësaj post