Nga Mero Baze
Kryeprokurori i Shqipërisë përfundon mandatin e tij të rregullt, në javën e parë të dhjetorit, dhe Kushtetuta në nenin 109 të saj, ka parashikuar në mënyrë të qartë përmes dispozitave kalimtare, se në rast se kryeprokurorit aktual, i mbaron mandati para se të krijohet Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), atëhere zgjidhet një prokuror i përkohshëm, me vendim të parlamentit, me shumicë të thjeshtë votash, dhe që duhet të plotësojë kushtet dhe kriteret e kreut të IV, të po këtij ligji.
Këtu nuk ka debat ligjor. Nuk ka as shqetësim ndërkombëtar për këtë çështje, përkundrazi, ka vëmendje ndërkombëtare, se mos devijohet nga kjo rrugë ligjore.
I vetmi shqetësim mbetet ai i opozitës, e cila ka një mobilizim politik për të krijuar një situatë “emergjente” për kryeprokuror, duke e marrë vetë këtë rol.
Ka së paku dy ditë, që opozita flet për fakte sekrete, për dosje “EULEX-i” (dikush duhet t’u thotë se EULEX është misioni për ndihmë ligjore i BE në Kosovë, të cilit dhe atje i ka mbaruar mandati) dhe për përgjime të Edi Ramës, të cilat do bëhen këto ditë publike, por puna është që nuk duhet të heqim kryeprokurorin.
Pra, e gjithë tymnaja, duke keqpërdorur dhe emisionet televizive dhe ca çupa që rrijnë në zyrë të Llalës, deri në vulgaritet, po përpiqet të krijojë nevojën urgjente që ka vendi që të mos ikë Adriatik Llalla, pasi prokurori i ri më 8 dhejtor, do t’i zhdukë këto fakte.
Kjo qasje qesharake e opozitës për të ngritur një çështje politike, si zëvendësimi i kryeprokurorit, e bën dhe më urgjente zgjedhjen e një kryeprokurori të ri.
E bën pikë së pari, pasi nëse vërtet ka fakte të tilla, që i ka opozita dhe nuk i ka Adriatik Llalla, atëhere duhet shkarkuar që sot Adriatik Llalla dhe duhet ndjekur penalisht për mosveprim. Nëse i ka dhe vërtet ja ka dhënë opozitës para se t’ia japë drejtësisë, po ashtu duhet të ndiqet penalisht. Pra, mënyra se si opozita po kërkon ta bëjë të nevojshëm Adriatik Llallën, bile të pazëvendësueshëm, është mënrya më e gabuar, pasi po e bën më të domosdoshme ikjen e tij, nëse ato që thonë janë të vërteta.
Nga ana tjetër, nëse e gjithë kjo lëvizje, nuk bëhet vetëm për të shpëtuar Adriatik Lallën, por dhe për të dërrmuar autoritetin e prokurorit të ri, atëhere edhe më keq për opozitën. Nëse një opozitë vërtet mendon se mund të shkatërrojë kundërshtarët me fakte sekrete, atëhere ajo duhet të mbështesë Prokurorinë që ta bëjë atë. Se “qytetari digital” për shqiptarët sjell më shpejt në mendje “Mister Bin”-in dhe i bën për të qeshur, se sa ndonjë figurë kryeprokurori që heton krimin.
Kështu që e gjithë kjo zallamahi, që ngjan si kujë për një kryeprokuror që po ikën dhe si një mallkim për një tjetër që po vjen, nuk ka të bëjë me kryeprokurorin si institucion, por forcon akuzën, se kjo opozitë ka keqpërdorur këtë kryeprokuror në detyrë dhe po vajton fundin e këtij keqpërdorimi. Dhe për këtë, shpreson se duke rritur tonet dhe shpikjet e “qytetarit digital” këto dy javë, do bëjë të ndjehemi të gjithë keq për këtë kryeprokuror.
Akoma më keq, duan të bëjnë që “boshllëku” që do të lërë ikja e Llallës, të mbushet me prezencat e tyre në konferencs shtypi.
Në fakt, e vetmja gjë po bëjnë, është se po na kujtojnë që kryeprokurori ka munguar në këtë vend dhe po mungon dhe dje e sot, pas deklaratave të tyre të papërgjegjshme në publik, të cilat në çdo shtet normal, duhet të merrnin një përgjigje nga kryeprokurori. Që në këtë vend, ka pesë vjet që mungon!
Diskutime rreth kësaj post