Katër gjyqtarë e prokurorë kanë paraqitur dorëheqjet e tyre pranë Presidentit Bujar Nishani, pasi për motive të ndryshme nuk kanë pranuar të plotësojnë formularët për Vettingun.
I pari është Prokurori i Krujës, Sulejman Tola, i cili mësohet se nuk ka plotësuar këto formulare për shkak se është në prag të pensionit. Për të njëjtin motiv, dorëheqjen e ka paraqitur dhe gjyqtarja e Kukësit, Drita Veliaj.
Dorëheqja më e bujshme mund të quhet ajo e Mirela Fanas, gjyqtare pranë Gjykatës së Lartë dhe njëherazi e sapozgjedhur si anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Ende nuk dihen motivet që Fana ka paraqitur në dorëheqjen e saj dhe mbi të gjitha, se çfarë do të ndodhë me vendin e saj në KED. Doreheqja e saj është pranuar nga Gjykata e Lartë.
Listën e dorëheqjeve e mbyll gjyqtari Ilir Çeliku, i cili për shumë vite ka qenë pjesë e Gjykatës së Tiranës, ndërsa dy muaj më parë u dekretua nga Presidenti Nishani si gjyqtar në Gjykatën e Apelit Vlorë.
Për tre të parët vendimi është marrë dhe janë kryer të gjitha verifikimet, ndërsa për kërkesën e Ilir Çelikut ende nuk ka përfunduar verifikimi nga institucionet verifikuese. Burime për Top Channel thanë se ky verifikim është një procedurë e cila pritet të mbyllet brenda ditës së sotme.
Dorëheqjet e tyre mbërrijnë në një moment që presioni i kohës për të dorëzuar dokumentet e vettingut, u rrit ndjeshëm.
Diskutime rreth kësaj post