Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë fjalës së tij nga Kuvendi Kombëtar sulmoi ashpër qeverinë Rama.
“Ne nuk e veshim kriminelin me kostum për ta futur në parlament dhe bashki.”, tha Basha.
Kryedemokrati u shpreh se PD-ja ka luftuar dhe lufton që institucionet e shqiptarëve të jenë të lira nga ndikimi i krimit dhe në shërbim të qytetarëve.
“Jemi ne që luftuam dhe luftojmë kundër kriminalizimit të politikës, dhe sfidës që krimi i organizuar po i bën çdo vlere të shoqërisë tonë me bekimin dhe ortakërinë e Edi Ramës, sepse ne nuk mund të pranojmë kurrë që institucionet publike të përqafojnë një model, që askush nuk do ta pranonte për familjen apo fëmijët e tij. Ne nuk e veshim kriminelin me kostum për ta futur në parlament dhe bashki. Ne kemi luftuar dhe luftojmë që institucionet e shqiptarëve të jenë të lira nga ndikimi i krimit dhe në shërbim të qytetarëve.
Ne e dimë fare mirë, që kur ky tumor përhapet në indet e një partie politike, metastazat e tij kapin gjithë shtetin, deri në atë pikë sa sot është e qartë për të gjithë pa përjashtim, se pushteti i rrëmbyer me masakrën zgjedhore, nuk i përket qytetarëve, as socialistëve, por ortakëve të Edi Ramës që blenë vota, shantazhuan, dhunuan, dhe në këmbim marrin kontrollin mbi ato institucione që i shërbejnë më mirë interesave të tyre kriminale.”, pohoi Basha.
Ndër të tjera Basha tha se me Ramën në krye të qeverisë, Shqipëria renditet e para në Evropë për korrupsion.
“Kemi denoncuar korrupsionin marramendës të këtij regjimi, që duke përfituar nga vakumi i drejtësisë, e çoi Shqipërinë në një tatëpejtë të frikshme, duke e renditur të parën në Europë për korrupsion dhe të dytën në botë për ryshfetin që shërbëtorët dhe ortakët e Ramës u rrëmbejnë qytetarëve dhe sipërmarrjeve. Miliarda euro dëme ekonomike, të paktën 7 sipas raporteve të KLSH-së, që mund të ishin përdorur për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, shkuan në xhepat e regjimit Rama-Doshi.
Nga të dhënat e Bankës Botërore dhe BERZH ryshfeti që merr ky regjim u kushton bizneseve shqiptare 550 milionë euro në vit, ose 1.5 milionë euro në ditë, një shumë tre fish me e lartë se ajo që raportohej në 2013-ën. Para që mund të shkonin për shkolla, spitale, rrugë, paga më të mira për mësues dhe mjekë, pensione më të dinjitetshme për të moshuarit tanë që meritojnë një pleqëri të bardhë, larg shqetësimeve për faturat përherë e më të kripura të dritave dhe ujit, larg ankthit për ilaçet që nuk mund të përballojnë dhe tryezës që bëhet gjithmonë e më e varfër.”, theksoi ai.
Diskutime rreth kësaj post