Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në Lurë për prezantimin e projektit të “100 fshatrave”.
Kreu i qeverisë u bëri thirrje vendasve që të investojnë në agroturizëm pasi në këtë mënyrë do të shpëtojnë nga varfëria.
Por në këtë takim nuk munguan as batutat me fshatarët e Lurës, të cilëve Rama u premtoi se do i ndërtonte rrugën por me shaka u tha: “Mos më shkruani që sot në Facebook pse nuk është bërë rruga, se nuk bëhet kaq kollaj sa thuhet fjala”.
Më tej teksa po bashkëbisedonte me fshatarët Rama i pyeti se cili nga zyrtarët e shtetit kishte ardhur këtu dhe ata thanë vetëm Mehmet Shehu.
Dhe Rama duke qeshur tha “ishalla puna ime do të shkojë ndryshe nga ai”.
“Qeveria ka një program të posaçëm për Rilindjen rurale, për krijimin e 100 modeleve në 100 fshatra të ndryshme të Shqipërisë, ku përfshihet dhe Lura.
Ka shumë fshatra që janë të jashtëzakonshme për nga bukuria e historia, por janë shumë larg rrugës së tregut për të krijuar një zhvillim bujqësor apo blegtoral, pyetja është çfarë mund të bëhet?
Në vend se të synohet e pamundura dhe njerëzit të strapacohen nga momenti kur del drita e kur bie errësira për të prodhuar në bujqësi e duke mbijetuar, të kthejnë sytë nga shfrytëzimi i bukurisë natyrore e t’i drejtohen agroturizmit.
Një rrugë skëterrë e një distancë kaq e largët nga rruga kryesore, është një mundim i madh të mbjellësh domate e qepë e të marrësh gjithë këtë rrugë për t’i shitur në qytet. Për të dalë nga këtu në treg mundësia është minimale, po ka një mundësi tjetër për ta bërë tregun të vijë këtu.
T’i bësh njerëzit të vijnë nga Tirana e Europa të vijnë këtu. Të gjejnë këtu këtë bukuri natyrore e të shijojnë diçka që nuk e gjejnë në një vend tjetër.
Unë besoj që agroturizmi është potencial i jashtëzakonshëm që nuk e kemi të shfrytëzuar, por po ta bëjmë dalin nga varfëria të gjitha familjet që e bëjnë.
Flasim për një jetë që të jep më shumë të ardhura se puna në shtet apo privat. Jam i bindur që duke hapur këtë rrugë, do të ketë me mijëra emigrantë që duke investuar paratë, do fitojnë më shumë nga ai aktivitet se sa duke fituar si punëtorë në Greqi e Itali” -tha Rama gjatë bashkëbisedimit me banorët e Lurës.
Diskutime rreth kësaj post