Kreu i PD, Lulzim Basha në një takim me të rinjtë ka theksuar se në këto 30 ditë fushatë nuk do të kursejë asgjë. Ai dëgjoi nga afër problematikat e qytetarëve të cilat janë shtuar për shkak të pandemisë dhe harresës së qeverisë. Rënia e konsumit, largimi i njerëzve, pamundësia ekonomike dhe problemet e ish-pronarëve ishin shqetësimet që u drejtuan nga qytetarët. Kryedemokrati u zotua se do të sjellë ndryshim tek bizneset e vogla në vend.
“Kjo është betejë për ndryshim, nuk është thjesht betejë për zëvendësim, është betejë për ndryshim. Nga ky ndryshim do të varet rruga Europiane e Shqipërisë. Pra nga ky ndryshim do të varet që të rinjtë shqiptarë të kenë mundësi europiane për arsimim, që do të thotë universitete në Shqipëri me cilësi europiane, do të thotë edhe programe shkëmbimi ku më të mirët të kenë mundësi të shkojnë në universitete europiane të mësojnë aty, të krijojnë lidhje aty, të krijojnë mundësi për praktika pune.
E vetmja gjë që keni nevojë për të hedhur këtë hap përfundimtar për të qenë si një europian është një qeveri që mendon për ju dhe jua bën më të lehtë, më të mundur arsimimin cilësor dhe punësimin. Dhe ky është misioni kryesor i qeverisë që do të dalë pas zgjedhjeve të 25 Prillit. Mesazhi kryesor që kam për ju dhe që dua ta shpërndajmë kudo është që asnjë i ri nuk do të mbetet mënjanë, asnjë i ri nuk do të shohë më largimin si shpresa e vetme se Shqipëria i ka mundësitë e jashtëzakonshme t’ju akomodojë, t’ju bëjë krenarë siç e bëni ju Shqipërinë krenare”. – tha Basha.
Basha tha se PD ka hartuar një plan për pronarët dhe me pronarët që fillon me shfuqizimin e ligjit të shpronësimit të dytë.
Diskutime rreth kësaj post