Njeriu më i kërkuar i Europës sot, Anis Amri ishte vënë nën mbikqyrje nga forcat e sigurisë më herët gjatë vitit. I dyshuari numër një për sulmin e Berlinit monitorohej për planifikimin e një vjedhjeje dhe paratë që do të siguronte në këtë mënyrë, besohet se do t’i përdorte për të blerë armë.
Por pamjaftueshmëria e provave bëri që autoritetet ta lënë mënjanë rastin e tij. Përpara se të hynë në Gjermani, 24-vjeçari kishte kaluar 4 vjet në një burg të Palermos në Itali për zjarrvënie. Fletearresti nga policia gjermane u lëshua pasi në kabinën e shoferit të kamionit që u përdor për sulmin tragjik, u gjet karta e tij e identitetit. Zyrtarët gjermanë paralajmërojnë se tuniziani mund të jetë i armatosur e i rrezikshëm dhe ofrojnë deri në 100,000 euro shpërblim për informacione që mund të çojnë në kapjen e tij.
Amri mendohet të jetë plagosur gjatë përleshjes me shoferin e kamionit, i cili u gjet i pajetë brenda mjetit. Mëngjesin e sotëm, policia kreu një operacion blic në qytetin perëndimor të Dortmundit, ku i riu raportohet të ketë ndaluar herë pas here.
Dy apartamente u bastisën e katër vetë përfunduan në pranga. Banorët e njërit prej blloqeve të mësyra e kanë njohur Amri-n nga fotot e shpërndara prej policisë e thanë se ai kishte qëndruar për ca kohë në shoqërinë e një Gjermani me origjinë serbe, i cili u ndalua muajin që shkoi nën dyshimin e mbështetjes së shtetit islamik. Një nga refugjatët shqiptarë që jetonin aty pranë i identifikuar vetëm si Andi, i tha BBC-se se nuk dinte shumë mbi Amrin, por kishte folur dhe me emigrantë të tjerë aty mbi këtë person dhe kontaktet e tij xhihadiste në zonë.
Mbase ka pasur vërtetë, thotë shqiptari, këtu gjendja është një tmerr. Reporterit të BBC-së i ka tërhequr vëmendjen një swastika e madhe në korridor, të vizatuar sipas refugjatëve nga vendasit, shenjë e qartë kjo e ndjenjave anti-emigrante në zonë.
Diskutime rreth kësaj post