Nga Luela Myftari
Mjaftueshëm me vrer kam shkruar për politikën e tyre të jashtme. Politika e tyre e jashtme e sidomos në lidhje me ne (shqiptarët) ma shpif, por nuk them dot të njëjtën gjë për këngët, kuzhinën, artizanin, turizmin e tyre. E sa herë më ka rënë rasti të shkruaj diçka për këto të fundit e kam bërë dhe me kënaqësi. Nën emrin tim gjenden dhjetëra kronika e shkrime për të bukurat e Greqisë, e ndoshta po aq edhe për politikën e tyre të jashme, për të gjitha vrasjet e torturat që ndërmorrën në shtëpitë e gjyshërve të mi, për detin që vetë firmosim t’ia japim që të na i marrin, apo për zjarret që na i faturojnë ne. E vërteta është që ata kanë dhe dinë, ne vetëm kemi.
Deti
Nisem drejt Vlorës. Trafiku nis që në Durrës. Shqiptarët që kanë një ditë pushim dynden te Gjiri i Lalzit apo në Spidh(ll)e. Ka trafik e një orë udhëtim nuk e bën dot as me shpejtësinë e shënuar në tabelat e rrugëve. Do orë të dalësh nga qyteti. Lungomare të tremb. Vapa është mbytëse, e ne sërish në trafik. Jemi gati për pushime. Ditët e pakta të pushimeve verore kanë nisur dhe orët shkojnë me shpejtësi në trafik. Një frappe e porositur e ëmbël të vjen e hidhur, por plot 2 mijë lekë. Në Vlorë kushton kaq. Kush e di sa kushton pak më larg. Deti është i mrekullueshëm. E kjo është fatura që duhet të paguash për të veshur rrobat e banjos e për t’u kredhur në det, ndërsa partnerin e lë në makinë në trafikun e çmendur të Lungomares. E di që nuk do të shkojë larg, gjatë kohës që ti shijon detin. Mund ta arrish makinën në këmbë. Harta digjitale që kam shkarkuar në celular më thotë se në Vlorë mund të mbërrij për rreth 2 orë e 16 minuta, por kanë kaluar më shumë se 4 orë.
Nisem drejt Pargës. Udhëtimi deri aty shkon më gjatë, sepse distanca është më e madhe. Në kufi shqiptarët të torturojnë me kontrolle edhe më të gjatë se grekët, ndërsa në kufirin matanë të shohin rripat e kostumit të banjos. Të pyesin, e kuptojnë se nëse do të shkosh për plazh, duhet të të urojnë pushime të mbara. Nuk na mbajnë aq gjatë. E Parga aty duket më afër. Nëse 4 orë dhe ende nuk ke mbërritur në Vlorë, për të shkuar në Parga, brenda kufijve zyrtarë të Greqisë mbërrin për 5 orë e gjysmë, fiks sa ka caktuar harta dixhitale në celularin tim. Kam bërë një ndalesë në Igumenicë për të marrë ajrin e shijen e rrënjëve të mia. Në Parga, një shqiptar, del nga lokali i tij e na fton për një kafe. Kjo është kostoja për ata që nuk kanë veshur rrobat e banjos. Një frappe kushton 2 euro, e ndërsa e porosit të ëmbël, të vjen e ëmbël, e me një përshëndetje po aq të ëmbël. Deti është njëlloj si i joni, deti Jon. Prandaj na e lakmojnë kaq shumë. Sepse ata e dinë ç’duhet të bëjnë qoftë edhe me një metër perlë të tillë bregdetare.
Ishuj dhe plazhe të virgjër
Plazhe të virgjër kemi shumë. E një ndër më të bukurit që kam shijuar në vendin tim është ai i Gjirit të Gramës. Pasi arrita në Dhërmi, nga ana e fshatit, në plazh gjej një varkë të vogël, kthyer në gomone falë motorrëve. E thjeshtë, modeste por që e ofron këtë guidë. Deri në Gjirin e Gramës mund të lundrosh me barkë me motorë të fuqishëm për rreth 20 minuta. Udhëtimi kushton 20 mijë lekë për person. Nëse jeni më shumë, do t’ju bëjnë ulje.
Pasi kam mbërritur në Lefkada, të vetmin ishull të Greqisë që mund ta arrish me makinë, rreth 1 orë e 30 minuta larg Pargës, shkoj në portin e Nidrit. Aty një anije tre katëshe, me dy bare të brendshme dhe një restorant mirëpret të huajt për një udhëtim drejt 6 ishujve. Udhëtimi nis në 9.30 të mëngjesit dhe përfundon rreth orës 19.00 të pasdites. 10 orë lundrim e plazh në 6 ishuj kushtojnë 20 euro personi. Ah, ka edhe një drekë, të përfshirë brenda në çmim.
Gjiri i Gramës është vërtet një mrekulli. Po i tillë ishte edhe Gjiri Egremni, pranë Porto Katsiki. Nëse nuk më besoni, klikoni në Google dhe për të dy gjiret për të kuptuar se magjia për t’u kredhur në këto plazhe të virgjër nuk është një magji e sajuar nga unë, por edhe më e madhe se një fotografi që flet 1000 fjalë.
E vërteta e dhimbshme më rrëngjeth kur kuptoj brenda dy ditëve, se çdo të thotë të bësh turizëm. Që në nisje trafiku më kushton dhembje koke, që pa frikë të barazohet me koston e siguracionit të makinës që pret për të dalë jashtë vendit. Pas 4 orësh kupton se udhëtimi nuk ia ka vlejtur dhe se dita e parë e pushimeve kaloi rrugëve duke sharë gjithë drejtuesit e mjeteve që parakalojnë a futen gabim drejt jugut të Shqipërisë. Ndërsa në Parga pa paguar çadër e shezllong je kredhur në det, me koston e një frapeje që në vendin tënd e pi të hidhur, edhe pse e ke paguar për të ëmbël.
E vërteta e dhimbshme të përplaset në fytyrë kur kujton 20 mijë lekë që ke paguar për 40 minuta udhëtim vajtje dhe ardhje në Gjirin e Gramës, ndërsa në Greqi ke paguar 20 euro për 10 orë udhëtim në 6 ishuj e një drekë të përfshirë. Po kjo e vërtetë të përplaset në fytyrë kur kujton se si zhurma e motorëve e uljet e ngritjet nga dallgët i tmerronin prindërit me fëmijë të vegjël në gomonen që na çonte drejt Gjirit të Gramës, ndërsa në anijen e Nidrit, as kafja që kishe porositur nuk derdhej. Një anije me rrëshkitëse për fëmijët e me platformë për t’u hedhur të rriturit duket shumë larg turizmit shqiptar, ndërsa në portin e Nidrit mund të gjeje dhjetëra të tilla që niseshin çdo mëngjes drejt ishujve.
E akoma më pak shpresë është ndryshimi i sjelljes sonë, kundrejt turistit. Gjiri i Gramës të fashitet, sikur ta mbulonte një mjegull kur vlonjati të thotë: “Motra, ec tani t’u bëfsha se kemi 100 punë të tjera, s’do rrimë këtu gjithë ditën. Kaq ishte”. Ndërsa kapiteni i anijes Nidri Star thërriste, pa qenë asnjëherë nevoja të ndizte sirenën: “Delfinët e mi, sirenat e mia, dukeni kaq bukur në det, por duhet të nisemi sërish. Një tjetër ishull i bukur na pret. Ejani do të hidheni sërish në detin e bukur të Greqisë”. E këtu nuk dilte asnjë mjegull ta fashiste imazhin e bukur të Gjirit Egremni. Ngjiteshe në anije dhe përpiqeshe ta fiksoje në një fotografi për ta pasur si kujtim të bukur përjetë. Aty kupton se ata dinë, ne jo.
Fshatrat, qytezat e banuara
Vizitova atë ditë me 20 eurot e paguara për udhëtimin me anije, Fiskardon, një vend në ishullin Kefalonia. Ndërtesat ishin veneciane, kishat ishin bizantine, varkat e vogla të peshkimit dukeshin shumë bukur pranë jaheve. Akullorja dhe ëmbëlsirat ishin të shtrenjta, por kishin një shije të mrekullueshme, pa asnjë copë akulli në mes ashtu si i gjen në kioskat e Dhërmiut apo në ato të Ksamilit. Dyqanet plot me punime artizane ishin përgjatë gjithë shëtitores, jo si në Himarë ku kiosat ofrojnë cigare dhe shumë kafe me sinjal wi fi. Në Kefalonia kishte reçel të zonës, sapunë me vaj ulliri, ëmbëlsira të bëra vetë, fruta. Madje pashë ca speca që doja t’i blija vetëm se ishin të bukur dhe kishin një ngjyrë të florinjtë. Shishe uzo të zbukuruar, erëza dhe karamele të vendosura në zarfe të bukur që t’ua dërgoje miqve kur të ktheheshe dhe shumë pak wi-fi. Në fakt ndodheshe në ishull.
Plazhet
Në Shqipëri e vërteta është se plazhet janë privatizuar. Unë me një çadër në dorë vështirë të gjej vend ku ta ngul. Në Greqi me një çadër 6 euro bëje plazh gjithë sezonin, ku të doje. Gjeta në një udhëtim një javor vetëm 3 plazhe të privatizuar dhe e di sa kushtonin? Mjaft të porosisje 2 frape te lokali dhe çadra me dy shezllone ishte falas. Ti e kishe paguar, bashkë me pishinën që ndodhej pak më lart.
Jeta e natës
Hera e fundit që shkova në një klub nate në bregdetin shqiptar ishte tek Folia. Ishte me nam atë vit. Oooooo, vërtet bëhej nami. Atmosfera ishte e mrekullueshme. Në hyrje shihja makina luksoze, miliona euro vetëm makina. Në klub hyrja kushtonte 10 mijë lekë, por duhet të rrije në këmbë. Në tavolinë e gjatë, me 2 apo 3 stola kushtonte sa një shishe alkool. Pra duhet të porosisje mbi 100 mijë lekë shishen që të kishe një vend për t’u ulur. Pesë persona, na kushtoi hyrja 50 mijë lekë dhe nga 10 mijë lekë koktejli, shkuan pra më shumë se 100 mijë lekë. Vetëm me një gotë në dorë. Atmosfera e shkëlqyer.
Ditën e tretë në Greqi u nisa për jetë nate, por në një anije të madhe. Festa ishte në anije. Hyrja ishte 10 euro personi, por kishe edhe një pije të përfshirë. Anija nisej në perëndim sepse edhe ky i fundit në det kishte magjinë e vet. Përfunduam në një gji apo ishull sekret, aty ku volumi i lartë i muzikës nuk ishte problem si në Dhërmi, Himarë, apo Sarandë. I vetmi rregull në këtë festë ishte: Jo taka, e fustane mbërmjeje, por rrobabanjo sepse festa është muzikë, koktejle, det e “fishekzjarre”, se di si mund të quhen ata dritat e veçanta që digjnin shqiptarët punëtorë të asaj anijeje që bënte festa të këtij lloji. Me gotën në dorë, mund të kërceje edhe në det, me apo pa rroba banjoje. Hyrja, udhëtimi, pija, deti, muzika të gjitha aty kushtonin 10 euro. Nëse doje një tjetër koktej kushtonte 6 euro. Nga mesnata, kishte edhe Happy hour, që do të thotë se çmimet uleshin. Kjo festë pa luks, që fliste nga kapiteneria në greqisht, anglisht, rusisht e shqip, ndonjëherë në të rrallë edhe italisht, nuk më bëri të ndieja mungesën e Shqipërisë. Anija i fliste të gjitha gjuhët dhe me një çmim më të lirë se klubi i natës në Jalë, Dhërmi e Sarandë.
Kuptova se ata kishin dhe dinin, ndërsa ne vetëm kemi.
E dua shumë vendin tim, ndryshe do të kisha ikur, do ta kisha braktisur, jo për një javë pushime. Do të kisha ikur dhe do të kthehesha një herë në vit për pushime dhe për të rregulluar dhëmbët. Por, e dua shumë, ndaj nuk e bëj dot. Ajo që më dhemb është se duhet të dimë se kemi të njëjtin det, të njëjtat potenciale, të njëjtat mrekulli natyre, të njëjtat ngjyra. Ata nuk kanë asgjë më shumë se ne. Ata thjesht dinë shumë më shumë se ne. Dhe nuk kanë turp të punojnë e ta duan atë që troket në derë, jo si turist, jo si të huaj, por si një njeri që ia bën të nesërmen më të bukur nëse lodhet pak sot.
Diskutime rreth kësaj post