Zyrat e shtetit shqiptar shpesh herë kthehen në një han pa porta nga ku mund të vjedhësh mbi një milionë dollarë përmes faturave të falsifikuara. Kjo është historia e kompanisë koncesionare të naftës Phoenix Petroleum, e cila po hetohet nga prokuroria. Personazhet e kësaj skeme mashtrimi me vlerë 1.300.000 dollarë janë drejtuesit e kompanisë Phoenix Petroleum dhe Agjencisë Kombëtare te Burimeve Natyrore (një institucion shtetëror), ndërsa viktimat janë financat e shtetit shqiptar dhe një kompani shqiptare që operon në Amerikë.
Historia
Kompania Phoenix Petroleum u bë e njohur për publikun shqiptar në fund të verës të vitit 2013. Pothuajse dy muaj pasi kishte humbur zgjedhjet, më 16 Gusht 2013, qeveria Berisha vendosi që të japë me koncesion edhe llokmën e fundit në naftës shqiptare. Nëntë vendburime nafte iu dhanë në shfrytëzim kompanisë Phoenix për 25 vitet e ardhshme. Pasi mori koncesionin, kjo kompani filloi prodhimin e naftës dhe në bazë të kontratës paraqiti edhe planin e investimeve. Kontrata parashikonte që kjo kompani të depozitonte në AKBN (Institucioni që monitoron kontratën për llogari të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë) një garanci për kryerjen e investimeve dhe në rast se këto investime nuk plotësoheshin, AKBN do t’i sekuestronte garancinë bankare dhe do të kërkonte prishjen e marrëveshjes. Investimet të cilat kompania ishte angazhuar të kryente kapnin vlerën prej 2.700.000 dollarë amerikanë dhe për këtë shumë ishte lëshuar edhe garancia bankare nga Banka Union Bank.
Studimi fals
Në verë të vitit 2015 kjo kompani raporton në AKBN se ka kryer planin e studimit strategjik 25-vjeçar për tetë zona: Frakull; Povelçë; Divjakë; Ballaj-Kryevidh; Drashovicë; Panaja; Pekisht-Murriz dhe Finiq-Krane. Për këtë “Studim Strategjik” shoqëria dorëzon disa letra “copy paste” nga studime të kaluara të bëra nga disa Inxhinierë të vjetër nafte dhe i deklaron AKBN-së se kostoja e këtyre studimeve strategjike është 1,3 milionë Usd. Kompania dorëzon gjithashtu edhe tetë faturat përkatëse për këto “studime strategjike” me një vlerë totale 1.299.000 dollarë amerikanë. Sipas raportit dhe faturave të paraqitura shërbimi ishte kryer nga kompania amerikane “BLACK SWAN ENERGY SERVICES” me qendër në Oklahoma City SHBA, një kompani e specializuar në kryerjen e studimeve afatgjatë strategjikë. Me dorëzimin e këtyre faturave në AKBN kompanisë i njihen shpenzimet në vlerën 1.299.000 dollarë amerikanë si dhe i zhbllokohet garancia bankare në vlerën 2.700.000 dollarë amerikanë. Se si mundet që AKBN, në vend të investimeve konkrete për rritjen e prodhimit, përmirësimin e infrastuktures, kushteve të punonjësve, përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe mjedisit etj, të pranoje disa letra bakalli, por me vlerë 1.3 milionë euro është shume e çuditshme por me këtë çështje do të merremi një herë tjetër.
Mashtrimi
Drejtoresha e Menaxhimit të kompanisë amerikane “BLACK SWAN ENERGY SERVICES” me qendër në Oklahoma City SHBA i dërgon një email disa zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar ku i informon se faturat e paraqitura nga kompania Phoenix Petroleum nuk janë lëshuar dhe nuk janë firmosur prej saj. Kompania nuk ka kryer asnjë pagesë dhe gjithçka është një mashtrim i madh. Bazuar në këtë informacion, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve fillon verifikimin e çështjes. Pas hetimit paraprak rezulton se tetë faturat më vlerë 1.299.000 dollarë amerikanë nuk janë reale (Tabelë faturat e falsifikuara).
“Nga ana e grupit të kontrollit u verifikua i gjithë dokumentacioni fiskal (pasqyra financiare, libra shit-blerje, ekstrakte bankare, ditarët e shoqërisë etj) nga ku u konstatua se: Shoqëria Phoenix Petroleum nuk ka të regjistruar në kontabilitetin e saj asnjërën nga faturat e mësipërme dhe as ndonjë faturë tjetër të lëshuar nga shoqëria “BLACK SWAN ENERGY SERVICES”. Shoqëria Phoenix Petroleum nuk ka kryer asnjë transaksion bankar në lidhje me shoqërinë “BLACK SWAN ENERGY SERVICES”. Për sa më sipër, do t’i kalojë çështjen Drejtorisë së Hetimit Tatimor për ndjekje të mëtejshme”,- thuhet në shkresën e datës 25.10.2016 të Tatimeve. Drejtoria e Hetimit Tatimor verifikoi situatën e krijuar dhe në përfundim të hetimit arriti në konkluzionin që kemi të bëjmë me elementë të disa veprave penale si mashtrimi, falsifikimi i dokumenteve zyrtare, paraqitja e dokumenteve të rreme etj dhe për këtë arsye depozitoi kallëzimin penal në prokurori.
Institucionet shtetërore
Materiali i dorëzuar në prokurori përmban faturat e paraqitura nga kompania Phoenix Petroleum, pasqyra financiare, libra shit-blerje, ekstrakte bankare, ditaret e shoqërisë Phoenix, dëshminë e Drejtoreshës të Menaxhimit të kompanisë amerikane “BLACK SWAN ENERGY SERVICES” me qendër në Oklahoma City SHBA si dhe një sërë dokumentesh të tjera. Bazuar në këto të dhëna prokuroria ka nisur hetimin e çështjes. Por edhe pse këto dy institucione shtetërore kanë nisur hetimet, AKBN ende nuk ka marrë asnjë masë ndaj kompanisë me pretendimin se nuk mund të vërtetojë nëse faturat janë apo jo të falsifikuara.
Diskutime rreth kësaj post