Ditët e fundit, ligjvënës dhe ekspertë të ndryshëm janë shprehur të tronditur dhe të zemëruar pasi “Cambridge Analytica”, një kompani e kontraktuar për fushatën zgjedhore të Donald Trump, kishte përdorur të dhëna personale nga Facebook. Shumë prej kritikëve silleshin sikur problemi është unik dhe jo-normal. Por në të vërtetë, përdorimi i të dhënave personale për reklama mund të jetë gjithë thelbi i ekzistencës së rrjeteve shoqërore.
Facebook ka shumë llogari për të dhënë. Mark Zuckerberg dhe drejtues të tjerë të Facebook do të kërkohen të dëshmojnë përpara Kongresit amerikan për atë që ndodhi. Ndërkohë, ata i kanë hequr kompanisë “Cambridge Analytica” të drejtën për të përdorur platformën, si dhe kanë ashpërsuar rregullat për marrjen e të dhënave.
Presidenti Trump dhe fushata e tij, sigurisht, duan të distancohen sa më shumë nga ish-këshilltarët. Por skandali me Facebook nuk është arsyeja e vetme që ekipi i Trump-it duhet të distancohet nga “Cambridge Analytica”. Një përgjim i bërë nga gazetarë investigativë tregoi se si Alexander Nix, drejtori i përgjithshëm i “Cambridge Analytica”, dhe drejtues të tjerë, mburreshin për dredhitë e shumta që mund të ofronin për klientët. Një nga “shërbimet” që ofronin, siç thanë gjatë përgjimit, ishte futja e politikanëve në kurth duke përdorur prostituta ukrainase, ose që i tërhiqnin kundërshtarët për t’u shkaktuar shkelje financiare gjatë fushatës, si dhe të prodhonin lajme të rreme. Edhe sikur ekipi i Trump-it të mos i ketë përdorur kurrë këto shërbime, edhe sikur drejtuesit e “Cambridge Analytica” ta kenë thënë kot, sa për t’u dukur para klientëve (ose, siç thanë ata, për të gjetur aktorë dashakeqë në politikë), këta këshilltarë janë kthyer në një pengesë të qartë politike.
Por a duhet të habitet njeri që Facebook ka lejuar kompani të jashtme të shfrytëzojnë të dhënave e 50 milionë përdoruesve? Facebook ka vite që u ofron të dhëna të tilla reklamuesve, dhe përdoruesit nuk i ka detyruar njeri që t’i shkruajnë të dhënat. “Cambridge Analytica” mund të ketë shumë faje, por marrja e të dhënave mund të jetë mëkati më i vogël mes tyre.
Facebook mbetet një nga kompanitë më të vlefshme në botë. Dikush mund të pyesë se nga vijnë këto para? Vërtet ka 1.4 miliardë përdorues, por ata nuk paguajnë asgjë për të hyrë në platformë, dhe mund ta përdorin sa të duan. Është 100% falas.
Paratë vijnë nga reklamat. Dhe përparësia e Facebook për të shitur më shumë reklama se të tjerët vjen ngaqë ka një bazë aq të madhe përdoruesish, aq sa mund t’u premtojë kompanive se do t’u dërgojnë reklama grupeve demografike që dëshirojnë. Doni t’u reklamoni diçka vetëm banorëve të Kansasit që kanë lindur pas viteve ’90 e që zotërojnë një shtëpi? Facebook e mundëson këtë. Doni t’u reklamoni diçka vetëm pensionistëve në Japoni? Facebook e mundëson edhe këtë.
Facebook shet reklamat në bazë të njohurisë që ka për ju. Është gjithë thelbi i këtij biznesi. Është budallallëk të mendosh se mund të ndodhë ndryshe.
Kompani që vijnë si palë të treta mund t’i përdorin të dhënat gjithashtu. Në vitin 2007, Zuckerberg e hapi platformën e Facebook për programues të jashtëm, të cilët mund të ndërtonin aplikacionet e tyre jashtë Facebook-ut, dhe nëpërmjet tyre mund të lidheshin me përdorues, duke u marrë të dhëna personale. Falë mundësive që jep rrjeti shoqëror për të pasur shumë miq, këto aplikacione të treta mund të marrin të dhëna jo vetëm për ata që e kanë instaluar, por edhe për miqtë e tyre. Ky është një element bazë i strukturës së Facebook, që e shumëzon fuqinë e reklamimit me disa herë. Kështu arriti “Cambridge Analytica” të marrë të dhëna për 50 milionë përdorues, duke përdorur miqtë e vetëm 272,000 përdoruesve që kishin instaluar aplikacionin e tyre dhe që e kishin lejuar t’u lexohej lista e miqve.
“Cambridge Analytica” s’ka qenë kompania e parë me lidhje politike që e zbuloi këtë mundësi që ofronin rrjetet shoqërore, dhe as e para që e shfrytëzoi. Siç raporton “Washington Post”, ekipi i Barack Obama-s për fushatën zgjedhore kishte përdorur mekanizma të njëjta për të ndërtuar një organizatë të stërmadhe në rrjetet shoqërore. “New York Times” raportoi në vitin 2013 se lëvizjet e ekipit të Obama-s për t’i grumbulluar këto të dhëna kishin ngritur alarme në sistemin e Facebook, por ata thjesht e kishin shpërfillur. “Thoshin që mund ta bënim sa të donim, mjaftonte që të mos e bënim më pas zgjedhjeve të 7 Nëntorit”, kishte raportuar një punonjës fushate. Kjo mënyrë nuk ka qenë më pak ndërhyrëse. “Kërkonim të shikonim fotot, por në fakt synimi ynë ishte të shihnim se kë tjetër kishit etiketuar në foto”, tha i njëjti punonjës për “The Times”. “Fotot janë mënyrë e mirë për të zbuluar shokë të vjetër shkolle apo ish të dashura”.
Thelbi është që kur shërbimi ofrohet falas, ju nuk jeni klient. Jeni produkti. Nëse s’doni të bëheni produkt, mos u regjistroni fare. Ose më thjesht, mos fusni të dhëna personale pa fund e të prisni pastaj që të mbahen private.
Facebook mund të meritojë të qortohet për mënyrën se si funksionon modeli i tyre financiar dhe se sa varet puna e tyre nga të dhënat e klientëve. “Cambridge Analytica” mund të ketë shumë llogari për të dhënë. Por ashtu si me Kapitenin Louis Renault në “Casablanka”, kjo habia e madhe pasi keni luajtur bixhoz në kazinonë e rrjeteve shoqërore, duket më shumë si injorancë e qëllimshme.
Diskutime rreth kësaj post