Komisioni për Çështjet Ligjore diskutoi sot për shtesat e reja në ligjin për asistencën sociale, ku në fokus ishte bonusi i bebeve.
Sipas propozimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ky bonus nuk do të jepet më për familjet që jetojnë jashtë territorit shqiptar. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Denada Seferi, tha se me këtë propozim do të shmangen përfitimet e dyfishta nga familjet që jetojnë jashtë vendit, si dhe do të krijohen kushte të barabarta për ata që jetojnë brenda territorit të Shqipërisë.
“Bonus i bebeve u vendos për të mbështetur çdo të porsalindur dhe familjet e tyre. Kjo është bërë në kuadër të rritjes së shtesës së popullsisë. Gjatë viteve 2019-2023 ne kemi ndjekur në vazhdimësi akordimin e 188 623 shpërblimeve për foshnjat e lindura brenda dhe jashtë vendit, kemi parë se gjatë këtyre viteve është rritur ndjeshëm numri i familjeve të mbështetura që nuk janë rezidente në Republikën e Shqipërisë.
Në këtë kuadër, me kërkesë të deputetëve dhe të disa grupeve që kanë ardhur me studime nga terreni, kemi arritur në përfundimin se ky bonus duhet të përfitohet vetëm nga qytetarët që jetojnë në territorin e vendit.
Nga analiza e kryer, rezulton se prindërit që lindin fëmijë jashtë vendit përfitojnë edhe pagesa nga vendet ku punojnë dhe jetojnë, duke marrë kështu pagesa nga të dy vendet.
Me anë të kësaj politike të propozuar ne do të shmangim përfitimin e dyfishtë dhe do të vendosim një kushte të barabarta për foshnjat e lindura në Shqipëri”, deklaroi zv.ministrja e Shëndetësisë.
Propozimi nuk u prit mirë nga opozita, e cila vuri në dukje mungesën e raportit dhe ndikimin që ky propozim ka në buxhetin e shtetit. Deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi nënvizoi se në një kohë kur raportet nga KLSH dhe raportet ndërkombëtare tregojnë abuzime parash dhe humbje miliona lekësh në politika të ndryshme, qeveria dhe parlamenti investojnë shumë për heqjen e bonusit për foshnjat e lindura jashtë vendit.
Varfëria dhe minimum jetik janë dy nga shqetësimet më të mëdha në vend. Kemi dorëzuar një paketë në lidhje me ndihmën sociale. Sot nga ju pritej një projektligj për rritjen e asistencës sociale dhe miratimin e një minimumi jetik si dhe për të pasur një raport të qartë për treguesit demografikë për qytetarët shqiptarë.
Ndërkohë ju sillni vetëm një element, kufizimin e bonusit të bebeve vetëm për fëmijët e lindur në Shqipëri. Në një raport me 23 mijë bebe brenda vendit dhe 18 mijë jashtë vendit, ju nuk sillni një analizë të detajuar të efektit të heqjes së bonusit të bebes. Ju po u thoni këtyre fëmijëve që ne nuk ju njohim më, ndërkohë që po bëjmë përpjekje që ta afrojmë diasporën sa më pranë”.
Në total në 4 vjet për periudhën 2019-2022 nga nisja e programit mbështetës për dhënien e bonusit të bebeve, sipas të dhënave të raporteve të monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë është shpenzuar nga buxheti i shtetit fondi me vlerë 11,5 miliardë lekë apo rreth 112 milionë euro.
Totali i bebeve përfituese sipas të dhënave të Monitorimit të Ministrisë së shëndetësisë është për 161,943 të porsalindur. Nisur nga numri i lindjeve për vitet 2019-2022 sipas të dhënave të INSTAT është 108,535 lindje, çka rezulton se 33% apo 53,408 bebe përfituese të bonusit jetojnë jashtë./Monitor
Diskutime rreth kësaj post