Vera e 2021 ishte dhe stina më nxehtë me të cilën është përballur këtë vit kontinenti Evropian. Në statistikat e fundit të publikuara nga shërbimi Evropian Copernicus për ndryshimet Klimatike C3S, rezulton se temperatura mesatare në qershor-korrik-gusht në Evropë ishte pothuajse 1 gradë Celsius më e lartë se mesatarja për periudhën 1991-2020.
Të dhënat nxjerrin në pah temperaturat rekord të vërejtura në gusht në vendet e Mesdheut, të cilat u goditën rëndë nga zjarret. Temperatura në gusht ishte mjaft afër mesatares, e cila fsheh ndryshime shumë domethënëse midis rajoneve të ndryshme të kontinentit.
Kështu temperaturat ishin më të ulëta se mesatarja në Evropën veriore, por më të larta në lindje, ndërsa temperatura rekord u regjistruan në vendet e Mesdheut.
“Gjatë valës së nxehtësisë në Evropën jugore, temperaturat prej 48.8 gradë Celsius u regjistruan më 11 gusht në Sicili. Kjo temperaturë, nëse konfirmohet nga Organizata Botërore Meteorologjike , do të jetë më e larta e regjistruar ndonjëherë në Evropë,” – thekson C3S.
Ndërkohë vala e nxehtësisë, e cila goditi gjithashtu Spanjën dhe në fillim të këtij muaji Greqinë dhe Turqinë, kontribuoi në krijimin e “kushteve të favorshme” për zjarret katastrofike në rajon.
Diskutime rreth kësaj post