Nga Mentor Kikia
Sali Berisha është vënë në krye të nxitjes së reagimit publik kundër ligjit për importin e mbetjeve për riciklim. Ai është një politikan me nuhatje të hollë dhe padyshim që nga kjo çështje shpreson të prodhojë produkte politike në shërbim të partisë së tij. Ai e shoqëroi këtë edhe me një ndjesë publike në Parlament, paçka se “gabimin” e tij e justifikoi vetëm me sigurinë që kishte patur atëkohë “për të kontrolluar çdo gjë në dogana”. Nuk ndodh shpesh që politikanët shqiptarë të kërkojnë ndjesë për gabimet që bëjnë, edhe pse arsye kanë mjaftueshëm që çdo fjalim të ditës së enjte në parlament, ta nisin me një ndjesë për ato që kanë bërë që nga e premtja. Por, sa i sinqerë është Berisha në ndjesën e tij si ish-kryeministër? Dhe, a është realisht frika e ndotjes së vendit shkaku real i kontestimit të fortë të këtij ligji?
Në përgjigje të këtyre pyetjeve, do të doja të shtronim disa pyetje të tjera: Përse nuk kërkon ndjesë Berisha për licencat që shpërndau, në ikje e sipër nga zyra e kryeministrit, për mbi 360 HEC-e, duke mos lënë rrëke uji të rrjedhë në udhën natyrore mijëra vjeçare? Përse nuk kërkon ndjesë për dëmet që po shkakton ndërtimi i këtyre HEC-eve nëpër parqe kombëtare, zona natyrore të mbrotjura dhe komunitete lokale, ku njerëzit përleshen me policinë për të mbrojtur përrenjtë e ujit që u kanë siguruar jetesën ndër breza? Përse nuk kërkon ndjesë që lejoi shkatërrimin e parqeve të Lurës, ndërtimet kaotike anëembanë vendit, shkatërrimin e bregdetit? Përse nuk kërkon ndjesë, pra, për dëmin më të madh mjedisor që që mund ti shkaktohet ndonjëherë këtij vendi? Mund të rendisim pa fund pyetje të tilla, por iu referova çështjeve që lidhen posaçërisht me mjedisin dhe territorin. Padyshim, ai nuk kërkon ndjesë për to, pasi nuk është penduar për asgjë, dhe as për ligjin e importit të mbetjeve.
Të gjithë tashmë e dimë se beteja për ligjin e importit të mbetjeve për riciklim nuk është vetëm një çështje mjedisore. Shumë njerëz të thjeshtë që mblidhen në protesta jashtë parlamentit, janë realisht të shqetësuar për të ardhmen e vendit. Por brenda në parlament çështja është thellësisht politike, ndaj dhe Berisha po investohet personalisht dhe fort në të.
Dekreti i Presidentit Nishani për kthimin e ligjit nuk po shkon në seancë pasi LSI është e pavendosur ç’të bëjë. Meta është një politikan që i forcon pozitat edhe falë “gjahut që del në shteg”, dhe ky ligj është një gjah i mirë. Bazuar në parimin “me qetësi e dashuri”, Meta ia ka dalë të identifikohet si lubrifikant në përplasjet PD-PS, edhe pse vetë ka qenë dhe është në koalicionet qeverisëse. LSI nuk e ka ndarë ende mendjen çdo të bëjë me këtë ligj, por vota kundër e saj dhe rrëzimi për pasojë i ligjit, do të ishte “de facto” një çarje e fortë në koalicionin me PS-në dhe një paralajmërim serioz se Rama nuk mund të marrë vendime të mëdha pa Metën. Ndaj Berisha po lufton për të mobiluzuar sa më shumë njerëz, në emër të shoqërisë civile e më tej, për të prodhuar sa më shumë reaksion publik. Sepse Ilir Meta e ka thënë më shumë se njëherë se këtë çështje ne do ta peshojmë mirë, për të parë interesin e publikut. Dhe në fund, Meta ka treguar se i rrit kredencialet e tij duke u rreshtuar në anën e publikut, siç ndodhi në rastin e protestave kundër sjelljes së armëve kimike të Sirisë.
Nëse ky ligj do të lejonte vërtet ardhjen e anijeve me mbeturina, pra plehra, nga Europa, për tu shkarkuar në Durrës, sikundër po ushqehet opinioni, atëherë Berisha do të duhej të mbyllte sytë, të priste që kjo të ndodhte e pastaj ta linte Ramën të mbytej vetë në pirgun e plehrave që do të sillte që me anijen e parë. Por ai e di që nuk do të ndodhë kjo, sepse ai vetëm i painformuar nuk është. Berishës tashmë i intereson nxitja e turmës dhe tërheqja e Metës në protestë, nga e cila ai fiton dobësimin e Ramës, ndërsa Meta bëhet sërish shpëtimtari.
Këto kulisa dhe, mbi të gjitha, vetë historia e këtij ligji, i cili u miratua e u mbështet fort nga PD, pastaj u sulmua fort nga PS(për arsye elektorale), që e anulloi, dhe tani që rikthet nga PS, sulmohet fort nga PD(po për arsye elektorale) – tregon se politika në këtë vend është më e pistë sesa vetë plehrat. Këtu nuk kam parasysh mbetjet për riciklim, pasi ato janë të pastra. (GSH)
Diskutime rreth kësaj post