Teksa ish-kryeministri Sali Berisha ka intensifikuar takimet me bazën demokrate, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka kujtuar edhe njëherë dosjen kriminale me informacionet sekrete që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kundër tij. Ndryshe nga ish-kryeministri Berisha që pretendon se amerikanët nuk kanë asnjë provë ndaj tij, kryedemokrati Basha e ka vënë edhe njëherë në dijeni për informacionet që SHBA kanë dhe ua kanë vënë në dispozicion, që sipas tij, është në dijeni edhe ish-kreu i PD.
Berisha i di informacionet sekrete
Dje zoti Basha ka mbledhur në selinë blu Kryesinë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për të diskutuar mbi aksionin e opozitës në Kuvend. Por mbledhja është shoqëruar me debate të forta, pasi deputeti demokrat, Flamur Noka i ka kërkuar llogari kreut të PD se përse e përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar pa thirrur forumet e partisë. Mirëpo ngrija e zërit dhe kërkesa e llogarisë që Noka i kërkoi, ka bërë që lideri demokrat të “plasë bombën”. Gazeta ka mësuar se Basha ia ka bërë të qartë Nokës dhe anëtarëve të tjetër se amerikanët kanë informacione sekrete për Berishën dhe ato i di si ai, si ish-kryeminsitri. “Mos thoni gjysmë të vërteta. Kurrë nuk kam deklaruar se ky ka qenë vendimi i jetës sime, por ka qenë më i vështiri. Nuk desha që këtë vendim t’ua lija forumeve të PD-së për të mbajtur të bashkuar partinë. Në Partinë Demokratike, nuk do të lejoj dhe nuk do te ketë grupime kundër amerikane. Ky është vendimi në interes të demokratëve. Kërkesa për doktorin nuk ka ardhur nga zyrtarë të nivelit të tretë apo të rangut të ulët. Ka ardhur nga kupola e shtetit amerikan. Informacionet i di unë siç i di shumë mirë edhe doktori dhe që ju s’keni për t’i marr vesh kurrë”, mësohet të jetë shprehur Basha. Pra, kjo deklaratë konfirmon edhe atë që pohoi ish-kryeministri Berisha në një studio televizive pak ditë më parë se SHBA-të do ndërmerrnin sanksione të ashpra kundër fëmijëve të tij.
Basha debaton me Nokën
Por vendimi për të përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar duket se nuk është kapërdirë dot nga deputeti i PD, Flamur Noka, i cili sipas burimeve nga mbledhja i ka kërkuar llogari Bashës dhe ia ka bërë të qartë se ka shkelur statutin e madje sipas tij, duhet të mblidhte Kuvendin Kombëtar. Por Basha “i ka prerë krahët” Berishës dhe i ka shuar çdo shpresë ish-kryeministrit se mund të mbledhë Kuvendin Kombëtar, pasi mësohet se prerë dhe qartë është shprehur para Kryesisë së grupit se nuk do të lejojë mbajtjen e Kuvendit Kombëtar, që sipas tij, mund të shndërrohet në një forum antiamerikan. “Nuk ka për të pasur asnjë mbledhje të Kuvendit Kombëtar, e asnjë mbledhje të ndonjë forumi tjetër antiamerikan. Vendimi për Sali Berishën nuk ka më kthim pas. Pastaj ka një keqlexim që bëhet ose interpretohet në media. Doktori nuk është përjashtuar përfundimisht, nuk është linçuar. Ndaj tij janë thënë fjalët më të mira. Por siç ka deklaruar edhe vetë, ai do të ndjekë procesin gjyqësor. Dhe derisa e vërteta të dalë në shesh do të qëndrojë jashtë grupit”, mësohet të ketë thënë Basha.
Por paralajmërimi i Bashës ka trembur Berishën. Ky i fundit ka reaguar në rrjetet sociale ku ka paralajmëruar shkarkimin e Bashës. Ndërkohë që sot do të jetë në Fier, ku do zhvendoset beteja e radhës. “Miq, ish kryetari sot shpalli non-grata bazën e partisë”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post