Gola, kartonë të kuq, lojë e fortë dhe spektakël, Egnatia-Kastrioti, një sfidë e projektuar si një përballje dirkte për mbijetesë, rezultoi një ndeshje fantastike dhe me shumë emocione. Më në fund të besuarit e Maganit thyejnë tersin dhe marrin fitoren e parë sezonale, një fitore me shumë peshë që solli festë tek tifozët e pranishëm. Tensioni ishte i madh dhe kjo u pa qartë që në fillim me dy ekipet që luajtën fort për çdo top. Në minutën e 23-të ishte Arbër Çyrbja që fitoi një 11-metërsh në favor të Egnatias.
Nga pika e bardhë e penalltisë, Pedro Agusto u tregua i saktë duke kaluar rrogozhinasit në avantazh. Kastrioti i shkoi shumë pranë golit të barazimit pak minuta më vonë por goditja e Arbër Bashës shkoi pak mbi kuadrat. Në fundin e pjesës së parë ishin vendasit që iu afruan golit të dytë me Arbër Çyrben. Ndreu e nisi pjesën e dytë me dy zëvendësime të shpejta por tradhtohet pikërisht nga Kodra, i sapo hedhur në fushë, brenda pak minutash ndëshkohet dy herë me karton të verdhë duke lënë Kastriotin me një lojtar më pak.
Një gafë e portierit Puja solli baraspeshën në minutën e 59-të teksa Ajazi besoi dhe arriti të devijojë topin në rrjetë duke sigluar shifrat në 1-1. Për të ndërlikuar më shumë se duhet këtë sfidë për Egnatian mendoi Bruno Telushi që në minutën e 77-të u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë duke rikthyer barazinë numerike në fushë
Atëherë kur gjërat po shkonin drejtë fundit, në minutën e 92-të, Pedro Agusto devijon topin në portë gjatë një goditje këndi duke i dhuruar Egnatias fitoren dhe një tre pikësh të artë që i vendos provizorisht në pozita komode.
Diskutime rreth kësaj post