Ka një servilizëm të tepruar tonin ndaj ambasadorëve dhe të gjithë ndërkombëtarëve. Nano shkruan se kjo më së shumti është nevojë e atyre që janë servilë se sa nevojë e ambasadorëve.
Nga Mustafa Nano
Në 10-vjetorin e Mapo-s (së cilës i uroj të bëhet edhe 20, 50, 100 vjeç a më shumë, e jo thjesht sepse kam filluar të bashkëpunoj me të) ndodhi diçka që nuk të linte indiferent. Mua jo, njëherë. Ata që përshëndetën të pranishmit, e filluan fjalën e tyre në mënyrë jo fort ortodokse. “I nderuari ambasadori Lu”, thanë ata fillimisht. E pastaj, vijuan “të nderonin” shqiptarë të tjerë të pranishëm, mes të cilëve ishin edhe dy ish-Presidentë të Republikës. Madje, Alfred Moisiu u vlerësua po aty si njeriu i vitit, dhe ky ishte një gjest i bukur që Mapo i bëri një ish-Presidenti që ka lënë emër të mirë, por veçimi që iu bë ambasadorit amerikan (duke e uruar të parin për mirëseardhjen) nuk besoj se i ka pëlqyer qoftë Moisiut, qoftë ish-Presidentit tjetër, Rexhep Meidanit. E duhet thënë pa e spërdredhur fare gjuhën: Kjo lloj vëmendjeje që ne ia japim ambasadorit amerikan është e tepërt. Unë e di, nuk kemi të bëjmë me ndonjë gjest të paprecedent. Ndoshta shumëkujt atje nuk i ka rënë fare në sy, pasi jemi mësuar tanimë me këtë gjë. E nuk është vetëm periudha postkomuniste që na ka mësuar.
Dua të them që protagonizmi i ambasadorëve apo diplomatëve të fuqive të mëdha në botën shqiptare është një dukuri e vjetër që ka lindur tok me idenë kombëtare, më tej me Rilindjen kulturore e kombëtare, më tej me idenë e një shteti shqiptar e më tej me idenë për ta mbrojtur e forcuar këtë shtet. Ka qenë kaq i ndjeshëm ky rol sa mund të thuhet pa frikë se vendimmarrja këtyre anëve ka qenë një punë e përbashkët. Madje, në disa raste, pesha e vendimmarrjes ka rënë mbi palën e huaj. Dhe nuk ka ndonjë çudi. Ndonëse përpjekjet e shqiptarëve për të rikuperuar kombin prej rrënojave të historisë e për të themeluar një shtet të tyrin nuk munguan në gjysmën e dytë të shekullit XIX, e vërteta është që shteti shqiptar është në një masë të madhe vepër e diplomacive të fuqive të mëdha, më saktë e nevojës që këto fuqi kishin për të ruajtur ca balanca mes tyre. Në këtë kuptim, ne jemi me fat. E prandaj, në ka një frazë që ne shqiptarët nuk duhet ta nxjerrim nga goja, kjo frazë është shprehja “ky komb o i mallkum”. Jo, vetëm i mallkum nuk o ky komb. Kosova është ilustrimi më taze edhe i faktit që shqiptarët janë me fat, edhe i faktit tjetër që pavarësinë e Kosovës po e bëjnë të mundur të huajt. Me këtë konfirmohet e përforcohet truizmi i njohur historik: shqiptarët nuk janë në gjendje të bëjnë ndonjë gjë të hairit jashtë hyqmit e kontrollit të të huajve. E provoi ta bënte një gjë të tillë diktatori paranojak pas viteve ‘70 të shekullit të shkuar, dhe eksperimenti rezultoi të ishte dramatik.
Shkurt, nëse do duhet të kërkonim një karakteristikë dalluese të historisë sonë shtetërore, nuk do bënim keq të ndaleshim te një drojë e përzier me veneracion që të gjitha elitat tona politike e kulturore kanë manifestuar ndaj diplomatëve të huaj. Dhe është një karakteristikë e pandryshueshme. Është një konstante e kësaj historie. Është sot (me ambasadorët) bash siç ka qenë një shekull e kusur më parë (me konsujt e Austro-Hungarisë, Francës, Italisë etj., në Shkodër, Durrës, Vlorë, Prizren etj). I vetmi ndryshim është se atëbotë, pjesëtarët e elitës shqiptare, që të gjithë, paguheshin e sponsorizoheshin nga fuqitë e mëdha të Kontinentit të vjetër. Në ditët e sotme kjo gjë ndodh më pak. Ose le të themi që pagesa bëjnë shtete që do donin të fusnin hundët në Shqipëri, si: Rusia, Arabia Saudite, Turqia, Greqia, Serbia etj., por jo shtete të mëdha, si SHBA-të, Gjermania, Italia, që të drejtën për të futur hundët e kanë “gratis” edhe për shkak të faktit që këto vende janë vende të Perëndimit, të cilat janë parë prore nga elitat e këtushme, e shihen ca më shumë sot, si vende aleate. Fjala vjen, S. Ngjela kapet nga eksitimi kur shpreh proamerikanizmin e vet në profilin e tij në Facebook ngaqë ka nevojë vetë, e jo ngaqë SHBA-të kanë nevojë për to. Autori i këtyre radhëve e lëshoi atë klithmën e dëshpëruar, se “atë porcion të sovranitetit që i takon ia delegon me qejf ambasadorit amerikan dhe ambasadores së BE-së”, ngaqë do donte të miratohej Reforma në Drejtësi, që aktorët e fuqishëm lokalë po e sabotonin, e jo ngaqë donte t’u bënte ndonjë shërbim SHBA-ve. Tiradat e F. Lubonjës kundër ambasadorëve mú në pikun e diskutimeve mbi Reformën në Drejtësi nuk motivoheshin prej ndonjë anti-ambasadorizmi, por prej idesë fikse se kjo reformë do të fuqizonte Edi Ramën. Sikur ambasadorët të mbanin qëndrime të ngjashme me të tijat, protagonizmi i ambasadorëve nuk do ta bezdiste aspak. Edhe Berisha e Basha nuk është se kanë ndonjë gjë me ambasadorët. Ky rol i këtyre të fundit, në thelb, e ka burimin te korrupsioni i tyre, e te pafuqia për t’u dalë zot ideve që kanë. Edhe kundërshtarët e tyre politikë nuk e çojnë në mendje t’i kundërvihen këtij protagonizmi të ambasadorëve për të njëjtat arsye. Janë të pafuqishëm e të korruptuar. Përveç kësaj, ambasadorët janë i vetmi ngushëllim që të dyja palët kanë në rrethanat që njëra syresh i dhunon rregullat e lojës. Nuk kanë se ku tjetër t’i përplasin kryet në momente nevoje, ngaqë institucionet shqiptare që do duhej të bëheshin garant i respektimit të rregullave të lojës, janë ndërtuar të dobëta, të kontrollueshme, të shantazhueshme.
Kjo është arsyeja që as PD-ja, as PS-ja nuk e vunë fare në diskutim kërkesën e ambasadorëve për të marrë pjesë në mbledhjen e grupeve të tyre parlamentare. Madje, ua hapën dyert katër kanatash atyre. Dhe kjo ngjarje ishte një all-time low në historinë e ambasadorokracisë në Shqipëri. Siç ishin të tilla edhe tonet kanosëse që ambasadori amerikan përdori në adresë të deputetëve e politikanëve të opozitës. Dhe unë, përsëris, nuk kam asgjë kundër këtyre toneve. Të kuptohemi, nuk është se më pëlqen kur shoh një ambasador që u hakërrehet njerëzve të zgjedhur të këtij vendi (nuk ka pse të më pëlqejë; kjo është fyese pa një, pa dy), por në rrethanat, për të cilat po flas, ky hakërrim ishte karta e fundit që na u ndodh në dorë. Pa të, nuk do ndodhte ajo që pamë të ndodhte: Si rrallë herë në historinë e parlamentarizmit shqiptar, të gjithë deputetët, që janë 140, ngritën kartonin jeshil për të miratuar një ligj që, me shumë gjasë, do t’ua komplikojë jetën atyre vetë të parëve. Epo, mrekulli të këtij lloji kanë ndodhur veç dy mijë vjet më parë, dhe i ka bërë “një farë” Jezu Krishti. Dhe mos ma merrni për teprim këtë që sapo thashë. Sepse mrekulli është të bësh 140 vetë të votojnë kundër interesit të tyre.
Por …. ka një “por” të rëndësishëm në këtë mes. Dhe me këtë po kthehem në pikën, ku u nisa. Unë, siç lashë të kuptohet, jam ndër të parët që e pranoj, e mirëpres, madje edhe e lus rolin e ndikimin e ambasadorëve, sidomos në rrethanat kur ne shqiptarët nuk dimë të bëjmë gjë tjetër, veçse të mbytemi me një pikë uji, por kjo nuk ka pse të na bëjë të kalojmë në ekstazë. Në ka një gjë që duhet të provojmë në rrethana të tilla, kjo gjë është turpi, ngaqë roli i madh i ambasadorëve është prova më e qartë e pafuqisë sonë për t’u vetëqeverisur. E prandaj, duhet të bëjmë ç’është e mundur që të mos e ushqejmë vend e pa vend këtë veneracion për ta. Veneracionin le ta mbajmë për vendet apo organizatat që ata përfaqësojnë, por jo për ambasadorët. Nuk ka kuptim kjo gjë. Çfarë ka kuptim është që t’u bëhemi krah këtyre të fundit, apo që t’i inkurajojmë kur kuptojmë se mund ta luajnë një rol në të mirë të vendit tonë, por le të mos harrojmë se ata janë thjesht ambasadorë, d.m.th. ca njerëz që janë këtu për t’iu shërbyer vendeve të tyre. Ne duhet të mësojmë prej tyre pikërisht këtë gjë, zellin për t’i shërbyer vendit të vet. Dhe mënyra më e mirë për t’i shërbyer vendit është edhe të përpiqemi të dobësojmë këtë regjim ambasadorokratik, gjë që bëhet, jo duke u thënë atyre “s’kemi nevojë për ju” (sepse në të vërtetë kemi nevojë që ç’ke me të), por duke iu kërkuar llogari atyre që zgjedhim për të na qeverisur e duke ndërtuar e fuqizuar, edhe me ndihmën e ambasadorëve, ca institucione që do të luanin fare mirë rolin që po luajnë ambasadorët. Deri atëherë ne do të kemi nevojë për ambasadorët, por nuk kemi nevojë që t’i trajtojmë si të ishin “institucionet tona më të rëndësishme kushtetuese”. E aq më pak si të ishin Providenca. /Mapo/
Diskutime rreth kësaj post