Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama, tha se do të ndërpritet fondi për studentët ekselentë që studiojnë jashtë me financat e shtetit, por gjatë takimit të sotëm me të rinjtë e Fierit, kryeministri u shpreh se marrëveshja me shtetin ka qenë që ata pas përfundimit të studimeve të kthehen dhe të kontribuojnë këtu.
Kryeministrit duket se i ka ngelur hatri me këta studentë, pasi siç u shpreh ai jo vetëm që nuk janë kthyer pas përfundimit të studimeve, por as e kanë marrë mundimin të cojnë një mesazh që nuk kthehen sepse kanë gjetur një punë të mirë në një kompani prestigjioze.
“Ka qenë një nismë me qëllim të mirë, një fond për të mbështetur ekselentët që studiojnë jashtë në universitetet më të mira të botës. Me atë fond janë financuar rreth 20 studentë shqiptarë, nga të cilët askush, asnjë pasi ka marrë lekët e shtetit nuk është kthyer ti shërbejnë vendit, pavarësisht se kushti ka qenë shteti do të paguajë studime të shtrenjta dhe ti do vish të kontribuosh.
Jo vetëm që nuk janë kthyer por nuk e kanë marrë mundimin të çojnë një letër apo një mesazh që të thotë kam gjetur një punë në një kompani të madhe. Këta janë shqiptarë shumë të talentuar dhe të zotë por në këtë pikë e kanë prishur, sepse fare mirë mund të thoshin që ‘unë e mbarova shkollën, nuk vij dot, mora një punë që nuk e refuzoj dot’.
Ne vendosëm ta ndërpresim këtë fond dhe këtë para t’ja japim ekselentëve këtu. Por jo ekselentëve nga 9 deri në 10, por ekselentë që janë realisht me të gjitha 10”, tha Rama.
Diskutime rreth kësaj post