Nderohen gratë që lanë gjurmë në veprimin politik
Gruaja Demokratike e Partisë Demokratike, sot ka bërë ndarjen e mirënjohjeve për kontributin e grave të PDK-së në politikë. Me mirënjohje të veçanta u nderuan Dr. Flora Brovina, Drita Statovci, Dr. Teuta Hadri, Dr. Nerxhivane Dauti, Dr. Sala Ahmetaj dhe Dr. Sabile KIçmezi Basha.
Me këtë rast, kryetarja e Gruas Demokratike të PDK-së, Justina Shiroka Pula, u shpreh se angazhimi në jetën politike i bënë që të takojnë shumë njerëz, të kalojnë nëpër sprova edhe të vështira, të mësojnë nga njëra tjetra dhe shkëmbejnë përvoja.
“Ne gratë nga ky takim ceremonial ngrisim edhe njëherë zërin e arsyes drejtuar politikës në Kosovë. Ai zë thërret që dhuna të shndërrohet në dialogim të vazhdueshëm, që të ketë stabilitet e rrugë institucionale të zgjedhjeve të problemeve, për të hapur kapitullin e ri të zhvillimit dhe jetës më të mirë në familjet tona. Rruga e anarkisë dhe getoizimit cenon lirinë e vendit tonë”, tha Shiroka Pula.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, evokoi kujtime nga koha e themelimit të PDK-së, duke shtuar se PDK-ja si parti e dalë nga lufta. “Ka mbyllur një epokë të dhimbjeve dhe të vujatjeve dhe ka hapur një epokë të re. Jemi munduar që të orientohemi për t’u dhënë mundësi të gjithëve që të kontribuojnë në ndërtimin e shtetit, jemi përcaktuar për interesa nacionale, prandja edhe gjatë kohës në opozitë ne kemi marrë përgjegësi. Si rrejdhojë e kësaj kemi dëshmuar se jemi parti e vlerave”, ka thënë Grabovci. Ndërkohë, ai ka çmuar kontributin e të gjithëve e edhe të grave për PDK-në.
Në këtë ceremoni Gruaja Demokratike e PDK-së, ndau edhe certifikata për 26 gratë pjesmarrëse në trajnimin e “Komunikimi dhe të folurit para publikut” të organizuar nga Gruaja Demokratike në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik (NDI), përkrahur nga USAID./
Diskutime rreth kësaj post