Florian Hahn, zëdhënës për Europën në grupin parlamentar të CSU në Bundestagun gjerman, mbërriti të mërkurën në Tiranë.
Ai është takuar me kryetarin e opozitës Lulzim Basha, kryeministrin Edi Rama, ish ministren Majlinda Bregu, e zgjedhur në krye të Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal, si dhe me anëtarët e organeve të vettingut.
Vizita e Florian Hahn në Tiranë ishte planifikuar në fillim të këtij muaji, pikërisht ditën kur Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit, por u bë e ditur se deputeti gjerman i shtyu takimet për shkak të anulimit të fluturimit.
Por Hahn nuk është i vetmi zyrtar i huaj që mbërrin në Tiranë këto ditë. Të shtunën, kur opozita do të zhvillojë protestën për largimin e ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafaj, vjen Zëvendës/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Pete (Pit) Marocco.
Ai merr pjesë në konferencën ndërkombëtare me përfaqësues të lartë nga vende të Europës Juglindore dhe të rajonit për problematikën e sigurisë rajonale dhe ekstremizmit të dhunshëm. Konferenca organizohet nga një grup deputetësh të Parlamentit shqiptar të majtë e të djathtë.
Axhenda e së shtunës ka dhe vizitën e një delegacioni të Asamblesë parlamentare të OSBE-së, i cili do të zhvillojë takime me drejtuesit e institucioneve shqiptare dhe Lulzim Bashën e Monika Kryemadhin. Më 29 Maj, vjen në Shqipëri edhe Sekretari i Përgjithshem i OSBE-së, Thomas Greminger, që do të takojë krerët më të lartë të qeverisë dhe opozitës.
Diskutime rreth kësaj post