Në përpjekje për uljen e palëve në dialog dhe arritjen e një kompromisi, në fillim të javës së ardhshme pritet të mbërrijë në Tiranë, David McAllister, aktualisht, zëvendës-president i Partive Popullore Evropiane(PPE) dhe kryetar i komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Europian(PE).
Eurodeputeti gjerman vjen në Shqipëri pas kërkesës së koalicionit të majtë qeverisës, i cili një javë më parë vendosi t’i drejtohej zyrtarisht së djathtës europiane duke i kërkuar të ndërhyjë për vendosjen e komunikimit me opozitën shqiptare, e cila prej dy muajsh vijon protestën, pa u tërhequr nga kërkesa për qeveri teknike, që sipas saj, është garancia e vetme për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ardhja në Tiranë, të martën, e kreut të komisionit të Jashtëm të PE-se, përkon me përshkallëzimin e protestës së opozitës, e cila parashikohet të dalë nga ‘ombrella’ në bulevard, duke tentuar bllokimin e akseve kryesore në vend.
Opozita ka paralajmëruar se të hënën, mes orës 11:00 dhe 12:00 do të bëhet bllokimi i trafikut në rang kombëtar, gjë që shihet si një formë proteste e përdorur edhe më parë nga Partia Demokratike dhe që synon te përcjelle vendosmërinë e opozitës për të mos u tërhequr nga kërkesa për qeverinë teknike.
Interesi i lartë pritet t’i shoqërojë zhvillimet politike në vend javën e ardhshme dhe po ashtu drejtimi që do të marrin ato a do jetë një zgjidhje që do i kënaqë të dyja palët? Kjo mbetet për t’u parë.
Diskutime rreth kësaj post