Policia e Kosovës ka arrestuar sërish mëngjesin e sotëm kryetarin e lëvizjes e Vetëvendosje, Visar Ymeri. Arrestimi është bërë në bazë të një kërkese nga gjykata themelore.
“Kemi pasur një urdhëresë që ta shoqërojmë dhe ta dërgojmë në orën 10:00 në Gjykatë dhe këtë kemi bërë”, ka konfirmuar zyrtarja për informim pranë Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
Kjo është hera e dytë që Ymeri ndalohet dhe shoqërohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë lidhur me një grindje të vitit 2012 në Kuvend.
Shoqërimi i tij nga policia ka ndodhur pasi, për rastin në fjalë, kreu i Vetëvendosjes nuk ka përfillur thirrjet e gjykatës dhe për shkak të rrezikut të vjetërimit të çështjes.
Në këtë gjykim Ymeri, deputeti Rexhep Selimi dhe ish-deputeti i Vetëvendosjes Florin Krasniqi akuzohen për sulm fizik ndaj deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu. Në gjykatë ndodhet edhe deputeti Rexhep Selimi.
Përleshja ka ndodhur më 28 qershor 2012 gjatë një pauze në parkingun e Kuvendit të Kosovës. Lidhur me këtë rast janë thirrur 16 seanca gjyqësore.
Diskutime rreth kësaj post