Aktori i njohur i kinematografisë dhe teatrit Bujar Lako u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në moshën 68- vjeçare, si pasojë e një ataku në zemër.
Jetëshkrimi
Bujar Lako lindi në Tiranë më vitin 1948. Është një aktor i mirënjohur shqiptar. Karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Në fillim të verës” i G. Erebarës dhe “Përballimi” i V. Gjikës. Pas kësaj ai realizon një sere figurash në rreth tridhjetë filma midis të cilëve mund të përmendim: “Gjeneral gramafoni” V. Gjika, “Udha e shkronjave” V. Prifti, “Ballë per ballë” K. Çashku, P. Milkani, “Kthimi i ushtrisë se vdekur” dhe “Gurët e shtëpisë sime” Dh. Anagnosti, “Amiko” Cizia Zyke, produksion francez.
Në teatër ka interpretuar rreth shtatëdhjetë role, midis të cilëve veçomë: “Vizita e inspektorit” Xh. Pristli, (Dh. Pecani), `Monserati” E. Robles (P. Mani), “Vdekja e një komisioneri” A. Miler (F. Haxhiraj), “Vdekja e Dantonit” Byhner (V. Milçin), “Ditë vere” Mrozhek, (B. Lako), “Ariu” Çehov (S. Duni) etj. Në vitin 1992 interepreton në Teatrin e Kombësive ne Shkup në produksionin “Varrtarët” .
Në vitin 1975 është nderuar me çmimin e veçantë per filmin “Përballimi”. Në vitin 1979 çmimin e veçantë për filmin “Ballë për ballë”. Në festivalin e filmit të vitit 1979 vlerësohet si aktori me i mirë i festivalit dhe nderohet me kupën e festivalit për rolin e Halit i Beratit në filmin “Gjeneral gramafoni“. Në vitin 1979 është lauruar me çmimin e Republikës së shkallës se parë, për filmat “Gjeneral gramafoni” dhe “Ballë për ballë”. Në vitin 1982 është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri” klasi i parë, për interpretim në teatër. Në festivalin e filmit të vitit 1991 është shpallur aktori me i mirë për interpretimin e rolit të gjeneralit në filmin “Kthimi i ushtrisë se vdekur“.
Në vitin 1985 fitoi titullin “Artist i Merituar” Në vitin 2005 ka marrë “Palmën e artë” si aktori më i mirë i Festivalit në edicionin e 29 “Cairo International Film Festival” me filmin “Megic Eye” të regjisorit Kujtim Çashku. Ky është çmimi më i madh i marrë nga një aktor Shqiptar në një festival të kategorisë A. Në vitin 2013 iu dha titulli “Nder i Kombit” nga Presidenti i Republikës./k.s/
Diskutime rreth kësaj post