Në kuadrin e Javës së Infermierisë, e cila ka iniciuar në datën 5 Maj me Ditën e Mamive dhe vijon deri në datën 12 Maj me Ditën e Infermierisë, Urdhri i Infermierit ka organizuar një aktivitet, në të cilin ai ka bërë me dije publikisht edhe njëherë problematikat, por edhe arritjet e deritanishme të sektorit infermieror si i tillë.
“Në këtë javë ne zhvillojmë aktivitete trajnuese e promovuese, sepse nisur nga argumenti që infermieria është një profesion i dhimbjes, ne heronjtë e heshtur që shpëtojmë mijëra jetë njerëzore, shpesh nuk dëgjohemi e nuk vlerësohemi. Ndaj zgjodhëm të gjithë bashkë të vetëvlerësohemi dhe të edukohemi mes nesh, në kuadrin e edukimit në vazhdim, që të na çojë drejt misionit tonë i cili mbetet ai i rritjes së cilësisë së kujdesit infermieror ndaj pacientit”, tha në fjalën e tij, presidenti i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, z.Sabri Skënderi.
Për të vijuar më tej me vënien në dukje të faktit se shoqëria shqiptare sipas tij është pak e sensibilizuar ndaj punës së infermierëve dhe sakrificave të tyre. Por edhe faktit tjetër se
infermieria luan një rol të rëndësishëm për integrimin e vendit tonë drejt Evropës.
“Prandaj ta fillojmë nga vetja e të bëjmë të mundur që kujdesi infermieror të mos bëhet pengesë për këtë proces”, apeloi më tej Skënderi.
Mes të tjerash, ai theksoi edhe dukurinë se infermierët nuk janë thjesht profesionistë të infermierisë dhe se aktiviteti i tyre nuk është vetëm i tillë. Pasi ka mjaft përfaqësues të tyre edhe në nivele të tjera, si në politikë përshembull, duke përmendur këtu emrin e deputetes Mirela Feracaku.
“Pjesëmarrja jonë në politikë duhet të shtohet, sepse ajo do ta zbuste atë”, vuri në dukje shefi i infermierëve të Shqipërisë.
Më tej, aktivitetin e përshëndeti edhe mjeku i njohur Flamur Tartari, i cili pohoi rolin sipas tij të pazëvendësueshëm të kategorisë së infermierëve në punën e përditshme të mjekëve.
“75% të punës së mjekut e bën infermieri, – tha ai, – Ne mjekët nuk bëjmë asgjë pa ju. Por ende nuk ka një vlerësim ndaj jush”.
Në fund, aktiviteti ndau edhe çmimet e posaçme:
Mamia më e mirë – Laureta Hoxha;
Infermieri më i mirë – Idriz Troshani;
Ekipi më i mirë spitalor- Gjirokastër;
Ekipi më i mirë i qendrave shëndetësore – Shishtavec, Kukës.
Diskutime rreth kësaj post