Kryeministri Edi Rama qëndron krah presidentit amerikan Joe Biden dhe aleatëve, për të nderuar atë që e cilëson si sakrificën e fundit të Alexei Navalny, liderit opozitar i cili humbi jetën këtë premte në një burg të Rusisë, ku vuante dënimin prej 3 vitesh.
Në një reagim në rrjetet sociale për vdekjen e tij, Rama thekson se kjo tragjedi nënvizon rëndësinë e unitetit dhe vendosmërisë aleate. Për kryeministrin shqiptar, Konferenca e Sigurisë së Mynihut është një moment i përshtatshëm për të theksuar rëndësinë e përpjekjeve kolektive, veçanërisht midis aleatëve të NATO-s.
“Qëndroj me Presidentin Biden dhe liderët e tjerë aleatë për të nderuar sakrificën e fundit të Alexei Navalny. Kjo tragjedi nënvizon rëndësinë e unitetit dhe vendosmërisë aleate. Konferenca e Sigurisë së Mynihut është një moment i përshtatshëm për të theksuar rëndësinë e përpjekjeve kolektive, veçanërisht midis aleatëve të NATO-s. Ne të gjithë duhet të ndajmë përgjegjësinë për të mbrojtur parimet të NATO-s dhe ndërkohë që përballemi me sfida komplekse, nuk duhet të hezitojmë të shkojmë përtej. Angazhimi 2% është kërkesa minimale, jo maksimumi. Shqipëria mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar me partnerët tanë për të forcuar aftësitë tona mbrojtëse, duke përfshirë rigjallërimin e industrisë sonë ushtarake”, shkruan Rama.
Më herët, Presidenti amerikan Joe Biden bëri përgjegjës për vdekjen e 47-vjeçarit, presidentin rus, Vladimir Putin.
“Ne nuk e dimë saktësisht se çfarë ndodhi, por nuk ka dyshim se vdekja e Navalny ishte pasojë e diçkaje që bënë Putin dhe banditët e tij. Putin është përgjegjës për vdekjen e Navalny. Putini nuk synon vetëm qytetarët e vendeve të tjera, siç e kemi parë në atë që po ndodh në Ukrainë tani, ai gjithashtu kryen krime të tmerrshme ndaj popullit të tij”, tha Biden (Lexo më shumë).
Vdekjen e Navalny e lidhin me Putinin edhe zyrtarë të tjerë të lartë në perëndim si kancelari gjerman, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, krerët e 3 institucioneve drejtuese të Bashkimit Europian, si dhe presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Vdekja e Navalny u njoftua nga mediat ruse. Televizioni shtetëror atje tha se 47-vjeçari ndërroi jetë në koloninë penale të Jamalo Njenjets, në veri rajonit federal të Uraleve, menjëherë pas përfundimit të shëtitjes së ajrimit.
Dyshimet e para janë që Navalny të ketë ndërruar jetë nga një ishemi, por zyrtarët në Moskë thanë se për momentin nuk kishin asnjë ide për shkaqet e vdekjes së tij. Hetuesit nisën menjëherë hetimet për të zbuluar shkaqet e vdekjes. Avokati i tij Leonid Volkov tha se nuk bëhej fjalë për një vdekje, por për një vrasje, sipas tij, të urdhëruar nga Vladimir Putin.
Diskutime rreth kësaj post