Napoli bën goditjen e madhe dhe rihap garën për titull në Serie A.
Të kaltrit e Sarrit iu falën një goli në frymën e fundit të qëndërmbrojtësit Kalid Koulibaly për të mposhtur 1-0 Juventusin brenda në Alianz Stadium dhe për ta ngushtuar në -1 pikë diferencën mes tyre në tabelën e klasifikimit.
Në shtëpinë e bardhezinjëve Napoli shfaqi më shumë dëshirë për ta fituar sfidën ndërsa Juventusi i Allegrit luajti për një pikë dhe u ndëshkua në fund nga goli i shtatlartit Koulibaly.
Buffon shpëtoi kampionët e Italisë në më shumë se një rast por në minutën e 90-të kapiteni i Juves nuk mund të bënte asgjë për të ndalur goditjen me kokë të qëndërmbrojtësit senegalez i cili i vodhi kohën Benatias.
Një sukses ky që e ngjiti skuadrën e Sarrit në kuotën e 84 pikëve një më pak se ekipi i Allegrit, por fati i Napolit që tashmë ëndërron titullin është se Juvja në 4 javët e mbetura do të ketë dy transferta shumë të vështira fillimisht ndaj Interit dhe më pas përballë Romës që luftojnë për një vend në zonën Champions, dhe me kalendarin në favor Napoli ka shanse të mëdha për ta fituar këtë sezon titullin në Serinë A dhe për të mos lejuar Juventusin të fitojë Scudetton e 7-të radhazi.
Diskutime rreth kësaj post