Çelësi i enigmës së vrasjes së Liridona Ademajt është te babai i Naim Murselit, sipas gazetarit Milaim Zeka. Në një intervistë për “Wake Up”, Zeka u shpreh se veprimet e të atit të Murselit janë të dyshimta.
“Që nga fillimi, e kam thënë që e gjithë enigma është te i ati. Si erdhi nga Suedia dhe dha pafund intervista, ndërkohë që i kishte vdekur nusja e djalit. Ishte aq kontrovers, çfarë thoshte në fjalinë e parë, nuk thoshte në fjalinë e dytë. Unë mendoj që çelësi i enigmës së kësaj vrasjeje fshihet te babai i Naimit, që doli se edhe ai mund të jetë shtysë. Doli që i ka treguar disa mesazhe të Liridonës te Naimi”.
Nga kontaktet me hetuesit, unë mund të them që ata dinë çdo gjë, theksoi analisti. Sipas tij, Naimi ishte i zhytur në borxhe dhe shumë sekrete për çiftin i dinte motra e 30-vjeçares.
“Motra e Liridonës di disa sekrete. Unë di që Naimi ka marrë para me fajde dhe është zhytur në fajde. Di që ka bërë një biznes diku 400 mijë euro me një biznesmen në Suedi dhe një ushtarak amerikan e ka takuar në hotel të Pacollit, i ka thënë më jep 1 mijë euro sot dhe t’i kthej 12 mijë. Jetonte në botën e luksit me borxhe, si ato fotot me Rita Orën. Ka shumë VIP-a kështu në Shqipëri dhe Kosovë. Është bërë turp të jesh VIP.
Unë mendoj që edhe Policia e Kosovës e ka pak problem, lexova që është përfshirë edhe Amerika, edhe policia suedeze. Kjo e fundit e ka më të lehtë të nxjerrë bisedat”.
Deklarata e vrasësit që shprehet se Naim Murseli ndodhej në makinë gjatë vrasjes, është e qartë, shtoi Zeka në “Wake Up”.
“Me rëndësi është fakti se deklarata e vrasësit që thotë kur kam vrarë Liridonën, Naimi ishte brenda në makinë. Ai tha që nuk i ka parë fëmijët. Është e logjikshme që një vrasës kur hyn të vrasë dikë nuk sheh nëse në sediljen e pasme ka fëmijë apo valixhe. Deklarata e vrasësit është e qartë”.tha ai.
Diskutime rreth kësaj post