Çmimet e naftës kanë shënuar një tjetër rënie gjatë ditëve të fundit, duke u reduktuar me 6-7 lekë për litër.
Në pikat e tregtimit të operatorëve më të mëdhenj, Kastrati dhe Eida, një litër naftë shitet me 152 lekë për litër, nga 157-158 lekë që ishte më parë. Gega Oil e ka ulur naftën nën 150 lekë, ndërs Alpet vijon ta mbajë në nivelet më të shtrenjta, afër 160 lekëve. Tek disa pika të bardha, nafta ka zbritur deri në 140 lekë për litër, por dilema mbetet lidhur me cilësinë e karburantit që tregtohet në to.
Që kur arriti në gati 180 lekë për litër në pjesën e parë të 2015-n, çmimet e karburanteve kanë rënë vazhdimisht muajt e fundit.
Nafta e lirë në tregjet ndërkombëtare, në rreth 33 dollarë për fuçi për treguesin Brent , është arsyeja kryesore e kësaj tendence ulëse. Edhe dollari, monedha me të cilin tregtohet ky produkt, ka qenë më i qëndrueshëm, duke u këmbyer me rreth 124 lekë, nga mbi 130 lekë që arriti një vit më parë.
Ndonëse Shqipërisa renditet si një ndër vendet me çmime më të larta të karburantit në Europë, operatorët e tregut pohojnë se me këtë zbritje çmimet kanë prekur fundin dhe nuk mund të pritet ulje e mëtejshme, edhe nëse nafta bie më tej në bursat ndërkombëtare, për shkak të taksave të larta.
Sipas tyre, pikërisht barra e lartë e taksave në Shqipëri, sidomos në raport me rajonin, është arsyeja kryesore pse shqiptarët e paguajnë më shtrenjtë naftën.
Sipas të dhënave nga Global Price Petrol, të përditësuara në 8 shkurt, Shqipëria vijonte të renditej e 14-a më e shtrenjtë në botë. Në Europë më të shtrenjtë se ne janë Holanda, Danimarka, Italia, Malta, Islanda, Monako, Suedia, Zvicra, Anglia, Norvegjia, shtete këto që kanë një nivel standardi jetese shumë më të lartë sesa tonin.
Nafta në Shqipëri, pse është 70% më e shtrenjtë se në Maqedoni
Në Maqedoni, sipas Global Price Petrol, në 8 shkurt, nafta kushtonte 0.74 dollarë për litër, gati gjysma e asaj në Shqipëri (1.27 dollarë, sipas të njëjtit tregues në të njëjtën datë). Operatorët e tregut pohojnë se arsyeja kryesore lidhet me numrin e lartë të taksave që paguhen për naftën në Shqipëri.
Çmimi i blerjes në port llogaritet i njëjtë për të dy vendet, në rreth 35 lekë për litër.
Në Maqedoni, taksat direkte mbi naftën janë vetëm akciza, me rreth 28 lek për litër (0.2 cent për litër) dhe TVSH, në rreth 15 lekë për litër (norma e TVSH-së në Maqedoni është 18%, ndërsa zbatohet mbi një çmim 70% më të ulët se në Shqipëri).
Ndryshe nga Shqipëria, Maqedonia nuk e ka taksën e qarkullimit të përfshirë në çmimin e naftës, por tek automjetet.
Në Shqipëri nafta taksohet si vijon: Akciza, 37 lekë për litër; Taksa qarkullimit, 27 lekë për litër; Taksa karbonit, 3 lekë për litër. Krahas tyre, vitet e fundit në kosto janë përfshirë dhe tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, nga 1 lekë për litër secila. TVSH (e parë) arrin në 21 lekë për litër.
Në total, në Maqedoni taksat direkte janë rreth 43 lekë për litër dhe në Shqipëri 90 lekë për litër.
Krahas tyre, në Shqipëri është shumëfishuar tarifa e rilicencimit të pikave të tregtimit të karburanteve, që sipas operatorëve llogarit një kosto shtesë prej 5-10 lekë për litër. Kosto të tjera përfshijnë tarifat për Inspektoriatin Qendror Teknik, taksë tabele, taksë reklame, amortizim, TVSH e dytë, që e çojnë koston në gati 150 lekë për litër.
Si rezultante, aktualisht në Maqedoni një litër naftë kushton rreth 91 lekë për litër, ndërsa në Shqipëri 150-152 lekë për litër, ose rreth 70% më shtrenjtë.
Diskutime rreth kësaj post