Në Shqipëri, duke nisur nga muaji i ardhshëm, çmimi për konsumatorët familjarë të energjisë nuk do të jetë më i njëjtë. Ata që konsumojnë më shumë se 800 kilowat/orë në muaj, do të duhet që për sasinë e harxhuar mbi këtë kufi, të paguajnë, një çmim që pritet të jetë disa herë më i lartë se kuota aktuale prej 9.5 lekë, për kilowat/orë.
Kjo ndërhyrje e qeverisë synon nga njëra anë të reduktojë kostot e larta, të importeve të mëdha të energjisë, dhe anga ana tjetër të nxisë kursimin nga ana e qytetarëve.
Në një bisedë me Zërin e Amerikës, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku shpjegon se deri më tani kostot e importit kanë shkuar në mbi 280 milion euro, dhe sipas skenarit negativ të qeverisë mund të arrijnë dhe 680 milion euro deri në fund të vitit. Ministrja Balluku thotë se pavarësisht krizës së rëndë, në vend nuk do të zbatohen kufizime të energjisë.
Kriza e rëndë energjitike që ka mbërthyer veçanërisht Europën, por dhe kushtet e pafavorshme të motit, me reshje të kufizuara e kanë vënë dhe Shqipërinë përballë zgjedhjeve të vështira. Në kushtet kur çmimet në tregjet ndërkombëtare po rriten dita ditës, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të luftës në Ukrainë, ecuria e tyre e ardhshme mbetet e paqarta, sikundër dhe parashikimet atmosferike, të cilat kanë një luhatshmëri të lartë, dimri i këtij viti, nuk do të jetë gjithashtu si më parë.
“Eshtë një moment i vështirë për të parashikuar se si do jetë ky dimër. Por çfarë kemi kaluar në këto 8 muaj, na bën të jemi të përgjegjshëm se do të jetë një dimër jo i lehtë”, deklaron ministrja Balluku.
Krahasuar me vitin e kaluar, prodhimi vendas i energjisë në 8 muajt e parë të këtij viti rezulton të ketë rënë me 40 përqind. Korporata energjitike, KESH, është detyruar të importojë gjatë gjithë kësaj periudhe.
“Nga buxheti i shtetit janë injektuar më shumë se 280 milion euro dhe do të vijojë të injektohet në formën e kapitalit buxhetor, edhe një sasi tjetër, pasi vijmë të jemi në import në mënyrë konstante. Unë shpresoj shumë të kemi reshje gjatë stinës se vjeshtës, që të kemi mundësi të prodhojmë gjithë sasinë e nevojshme për tregun dhe nga ana tjetër të nisim dhe eksportet, duke optimizuar kështu të gjitha kushtet financiare të sektorit”, shpjegon zonja Balluku.
Në rast të kundërt, sipas skenarit negativ të Qeverisë, financimi për blerjen e energjisë do të mund të shkojë deri në 680 milion euro.
Për të amortizuar sado pak kostot e larta të importit, por dhe për të nxitur kursimin nga ana e qytetarëve, qeveria pritet të vendosë zbatimin e çmimeve me dy nivele.
“Sipas të gjithë të dhënave tonë dhe analizës që kemi bërë, fasha duhet të shkojë deri në 800 kilowat/orë në muaj. Në analizën tonë, rreth 70 përqind e kontratave, harxhojnë deri në 800 kilowat/orë, pjesa tjetër harxhon mbi këtë nivel, dhe do të trajtohen me një çmim tjetër”, tregon ministrja
Kjo diferencë në çmim do të reflektojë deri diku çmimin në treg? “Do të jetë një çmim miks. Pra kur ne blejmë me 300 euro megawat/orën, apo kur blejmë me 1040 euro, sigurisht ka një ndryshim të çmimit miks, ku ndodhet brenda dhe çmimi i prodhimit. Kështu që do të jetë i reflektuar sipas raporteve mes dy çmimeve”, përgjigjet zonja Balluku.
Ministrja e Energjisë, thotë se qeverisë do t’i paraqiten disa variante për çmimin mbi 800 kilowat/orë, pa përcaktuar se sa do të mund të shkojë. Por me gjasë ai pritet të jetë disa herë më i lartë se çmimi prej 9.5 lekësh që zbatohet aktualisht pa dallim mbi sasinë e konsumuar. Edhe sepse, siç deklaroi zonja Balluku, çdo kilowat/orë mbi kuotën e përcaktuara do të konsiderohet përdorim luksi.
Në mbështetje të sigurimit të burimeve të energjisë, autoritetet kanë kontraktuar dhe dy anije që prodhojnë përmes naftës, të cilat do të ankorohen në gjirin e Vlorës. Ato i përkasin kompanisë amerikane Excelerate Energy.
“Ne presim që në ditët e para të shtatorit të ankorohen. Ka një kohë përgatitore të gjatë. Pra nuk është se sa arrijnë fillojnë prodhimin. Sasia që do të prodhohet është 114 megawat/orë, një sasi e rëndësishme ditore që i shtohet kaskadës”, deklaron ministrja.
Sipas zonjës Balluku çmimi i energjisë së përfituar pritet të luhatet mes 170 deri 200 euro për kilowat/orë, që krahasuar me atë aktual në tregjet ndërkombëtare konsiderohet më se i favorshëm. Por për ministren Balluku “çelësi i suksesit është kursimi” dhe për këtë shumë shpejt qeveria pritet të dalë me një strategji të posaçme.
Diskutime rreth kësaj post