Britania e Madhe mbeti pa fjalë nga lajmi se Italia kishte nënshkruar me Shqipërinë një marrëveshje të stilit të Ruandës për emigrantët e kapur në det, ide kjo të cilën Londra vetë e ka hedhur prej kohësh.
Në fillim të këtij viti, kujton Daily Telegraph, ministrat britanikë injektuan energji të re tek përpjekjet e një ujdie me Tiranën, sipas të cilës ajo do të pranonte emigrantët e ndaluar në kanalin e La Manshit në mënyre që kërkesat e tyre për azil të shqyrtoheshin në vendin ballkanik thuhet në shkrim. Por entuziazmi i tyre u fashit kur si Foreign Office, ashtu edhe ambasada britanike në Tiranë i këshilluan se kjo do të përbënte një “vijë e kuqe” për shqiptarët. Megjithatë, qeveria britanike u befasua kur Roma zbuloi marrëveshjen e saj me Shqipërinë, në bazë të të cilit vendi do të pranonte azilkërkuesit që zbarkonin në brigjet e saj.
“Kjo ishte e papritur për Foreign Office, pavarësisht se dihet që Italia ka një marrëdhënie të jashtëzakonshme me Shqipërinë për arsye historike”, tha një burim i cituar nga Telegraph.
Një zyrtar qeveritar pohoi nga ana tjetër po për të njëjtën media përcolli pakënaqësinë me veprimin e italianëve, duke nënvizuar se ky përbën një kthim prapa për planet alternative të Londrës, e cila i kishte lënë mënjanë sakaq bisedimet me vendet e tjera. Gjatë takimit në Romë këtë fundjavë me kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe homologun britanik Rishi Sunak, shefi i ekzekutivit Edi Rama, pohoi se disa vende të tjera europiane kishin kërkuar një marrëveshje të ngjashme që do t’u lejonte atyre të dërgonin emigrantë në Shqipëri.
“Por ne thamë jo,” theksoi ai, duke shtuar se Italia përbën një rast të veçantë për shkak të lidhjeve të ngushta historike dhe kulturore mes dy vendeve. Përpjekjet e Anglisë për të nisur fluturimet e dëbimit të emigrantëve të paligjshëm drejt Ruandës kanë vazhduar që nga qershori 2022, por janë ngrirë aktualisht, teksa në nëntor Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar doli me vendimin se plani ishte i paligjshëm për shkak të rrezikut që azilkërkuesit e dërguar në vendin afrikan të ktheheshin në vendet e tyre të origjinës, ku mund të përballeshin me persekutimin.
Diskutime rreth kësaj post