Prokuroria e Posaçme ka dyshime të forta se ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka abuzuar me fondet e BE-së gjatë kohës që drejtonte agjencinë e SASPAK ( Agjencinë Shtetërore të Programin Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës).
Këtë e ka bërë përmes një skeme, ku në qendër të saj ishte Ermal Kurtulaj, drejtues i projektit Eusair, pranë agjencisë.
Beqaj, Kurtulaj dhe persona të tjerë të besuar të ish-ministrit dyshohet se kanë përfituar shumë të mëdha parash përmes fatura fictive për shërbimet e pakryera të lëshuara nga biznese të ndryshme në Tiranë.
“Nga personi jo fizik me duhet komplet për çështje pune se s’po dimë se si do ta rregullojmë ngaqë do paguajmë këtë eventin e vizibilitetit nga programi ynë i Kosovës. Me duhet një person që të më lëshojë një faturë. Domethënë një person që do ta në bëjë qiranë neve, na ka ca lekë borxh””, dëgjohet ti thotë Kurtulaj administratorit të një biznesi në Tiranës.
Pas kësaj bisede ai është përgjuar duke marrë një zarf nga personi në fjalë, që sipas Prokurorisë ka dyshime se brenda tij ka pasur para. SPAK ka dyshime se Beqaj kishte ngritur një strukturë përmes së cilës qarkullonte paratë që në fund shkonin në xhepat e tij.
Ermal Kurtulaj sipas SPAK, ishte ne qendër të kësaj skeme, i cili rezulton se ka njohje te hershme me ish-drejtuesin e Agjencisë SASPAC, Ilir Beqaj, i cili e ka punësuar edhe si drejtues të projektit Eusair. Kurtulaj është përgjuar dhe vëzhguar gjatë bisedave apo kontakteve me pronarë të bizneseve të ndryshme, ku merr prej tyre fatura për eventet e organizuara.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Kurtulaj ka marrë ndër të tjera fatura nga një biznes në Tiranë, që në fakt i përkasin restorantit “Gzona”, tek Kalaja e Tiranës dhe këto veprime janë kryer me qëllim që të fshihet lidhja mes Gzonës dhe Shtetasit Ilir Beqaj, që atëkohë ishte drejtori i SASPAK dhe monitoronte projektet.
Kjo për faktin, se gruaja e Beqajt, Adriana Beqaj, ka qenë aksionere në masën 50 për qind e kompanisë së zotëron restorantin, aksione që më pas i ka shitur dhe dhuruar tek Arti Malaj, i cili më pas ja ka shitur Eduart Curraj, administratorit të kompanisë farmaceutike “Delta Pharma”, që u bastis nga SPAK, për shkak se ka dyshime se Beqaj e ka favorizuar edhe kur drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.
SPAK ka dyshime se restoranti është në zotërim indirekt nga Ilir Beqaj dhe janë bashkëpunëtorët e tij, kryesisht Ermal Kurtlaj që përpiqet të shmangë çdo lloj përfshirje të ish-ministrit, me qëllim që të mos ketë probleme me ligjin.
Prokuroria e Posaçme është duke hetuar për veprat penale të korrupsionit e fshehjes së pasurisë, ndërsa urdhëroi kontrollin në shtëpinë e Beqajt, njerëzve të tij të besuar si dhe zyrat e disa bizneseve e kompanisë farmaceutike. Ky është një hetim i ri për ish-ministrin e Shëndetësisë, i cili ndodhet në një masë sigurie siç është detyrimi për paraqitje dhe ndalimi për të dalë jashtë vendit, për aferën e koncesionit të sterilizimit, ndërsa po hetohet edhe në lidhje me koncesionin e check up.
Diskutime rreth kësaj post