Deklaratat e ambasadores Yuri Kim për njerëz me sa më shumë integritet në Parlament, kanë vënë në alarm si Partinë Demokratike ashtu edhe Partinë Socialiste. Deputeti Myslim Murrizi ka deklaruar se deklaratat e Kim nuk kanë qenë vetëm për largimin e Berishës por edhe për kryeministrin Edi Rama.
Murrizi u shpreh se sheh një staniacion të kryeministrit lidhur me lançimin e qeverisë së re dhe sipas deputetit ai e ka marrë mesazhin.
“A i keni dëgjuar deklaratat e fundit të ambasadores Yuri Kim, për çfarë pastrim listash flet? I tha para zgjedhjeve. Në informacionet që DASH disponon besoj që ka individë që i kanë shpëtuar kësaj liste para zgjedhjeve, sot jemi më pak se 1 muaj kur të mblidhet Parlamenti i elitës galaktike. Ajo thotë akoma pastroni, thirrje që mos pranoni në grupet parlamentare deputetë që figurojnë në listën e zezë si njerëz që kanë abuzuar me pushtetin, të korruptuar. Nuk e shoh vetëm për Berishën, përderisa iu drejtohet të dyve dhe shoh një staniacion të Ramës në lançimin e qeverisë së re. 2017 meqë ishte vazhdimësia, ishte në këmbë qeveria. Nuk mendoj se do të ketë ministra që janë në listën e personave të pistë të DASH ose agjencive ligjzbatuese të vendeve të BE”, – tha ai.
I pyetur nëse ish-kryeministri Sali Berisha duhet të hyjë në Parlament apo jo, Murrizi u shpreh se kreu i PD është Lulzim Basha dhe ai duhet të mbajë një qëndrim për këtë çështje.
Qëndrimi amerikan ndaj Berishës
Deputeti tha se lideri i PD do ta mbajë mirë edhe me Berishën edhe me Yuri Kim, por duhet të ndajë mendjen. Sipas tij, Basha duhet të deklarojë nëse do të shkëputet nga Berisha apo të mbajë krahun e tij vetëm sepse është i frikësuar ti thotë ik nga PD.
“Kjo është në gjykimin e vet të Berishës. Në fund të fundit, administrator i PD është Basha. Ai është kryetar. Kur del me fitim vazhdon, kur del 3 herë humbje duhet të ikësh. Ai ka marrë përsipër të jetë aty me garë false me shoqërinë e vet që me demek i kishte rivalë. Gjithë shqiptarët që kanë qenë 18 vjeç në ’92 mbajnë mend ambasadorin e SHBA që bënte fushatë që Kryetari duhet të mbajë një përgjigje të prerë , pa ekuivok, tani mirë me Berishën, mirë me Yuri Kim. Ky duhet ta ndajë. Edhe nëse është kundër DASH, të dalë të thotë është abuziv, e ka dhënë Soros etj, e të thotë që do rri me këtë burrin pasi nuk kam këllqe ti them ik”, – u shpreh deputeti.
Sa i takon krijimit të një Grupi Parlamentar të Berishës, deputeti tha se nuk sheh ndonjë regjim të ri. Murrizi u shpreh se çdo deputet do të arrijë të mbajë një qëndrim ndaj Berishës, ndërkohë që Basha nuk po e bën këtë gjë. Sipas tij, deputetët do të ndajnë nëse duan të shkojnë mirë me Bashës ose me Berishën.
“Nuk shoh ndonjë regjim të ri. Por, pas 9 shtatorit çdo deputet në bazë të atij që ndjen, të karakterit, rrezikut, frymës, mund të mbajë qëndrim që Luli nuk po e mban. E kanë lakun në fyt, nuk do të shkojnë mirë me vjehrrin, mirë me burrin. Këta do e ndajnë”, – u shpreh Murrizi.
Diskutime rreth kësaj post